Lajme nga Bota

Gjermania dhe Britania e Madhe njoftojnë sanksionet për Rusinë. Nga pezullimi i certifikimit të ‘Nord Stream 2’ te ndalimet ndaj pesë bankave ruse

Gjermania dhe Britania e Madhe njoftojnë sanksionet për Rusinë.

Sanksionet e Gjermanisë

Certifikimi i gazsjellësit Nord Stream 2 nuk mund të vazhdojë duke pasur parasysh veprimet e fundit të Rusisë, thotë kancelari gjerman Olaf Scholz.

Kancelari Olaf Scholz tha: "Ky tingëllon si veprim teknik, por është hap i nevojshëm administrative. Në këto kushte nuk mund të ketë certifikim të gazsjellësit dhe pa këtë certifikim, ‘Nord Stream 2’ nuk mund të fillojë të funksionojë."

Zëvendës-kancelari dhe ministri i ekonomisë Robert Habeck thanë për gazetarët se furnizimi me gaz i Gjermanisë ishte i sigurt edhe pa Nord Stream 2, i cili vetëm sa do të kishte dyfishuar sasinë me prurjet nga Rusia.

Megjithatë, ai parashikoi se çmimet e gazit do të rriteshin në një afat të shkurtër kohor. Gazsjellësi midis Rusisë dhe Gjermanisë përfundoi shtatorin e kaluar, por nuk është ende në funksion.

Sanksionet e Britanisë

Britania e Madhe ndërkohë vendosi sanksione ekonomike ndaj pesë bankave ruse dhe tre individëve të pasur. Kryeministri Boris Johnson tha se pjesa e parë e sanksioneve do të synojë këto banka: Rossiya, IS Bank, General Bank, Promsvyazbank dhe Bankën e Detit të Zi.

“Ne nuk do të dorëzohemi. Do të vazhdojmë të kërkojmë zgjidhje diplomatike deri në momentin e fundit, por duhet të përballemi me mundësinë që asnjë nga mesazhet tona nuk është marrë parasysh dhe se Putini është i vendosur të shkojë më tej në nënshtrimin dhe pushtimin e Ukrainës.

Ky është kësti i parë, paralajmërim i asaj që jemi të përgatitur të bëjmë. Ne do të marrim sanksione të mëtejshme së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian nëse situata përshkallëzohet akoma”, u shpreh Johnson.