Qyteti im po bombardohet, por mamaja ime që jeton në Rusi nuk më beson
Oleksandra dhe katër qentë e saj janë strehuar në tualetin e shtëpisë së saj në Kharkiv që nga fillimi i bombardimeve.
“Kur dëgjova shpërthimet e para, dola me vrap nga shtëpia për të marrë qentë e mi dhe për t`i futur brenda. Njerëzit ishin në panik, duke braktisur makinat e tyre. Isha shumë e frikësuar”, tregon ajo.
25-vjeçarja ka folur rregullisht në telefon me nënën e saj, e cila jeton në Moskë. Por në këto biseda, madje edhe pasi i dërgoi video nga vendlindja e saj e bombarduar rëndë, Oleksandra nuk është në gjendje ta bindë nënën për rrezikun në të cilin ndodhet.
“Nuk doja t'i trembja prindërit e mi në fillim, por më pas ua thashë troç se civilë dhe fëmijë po vdesin”, thotë ajo.
“Por edhe pse shqetësohen për mua, ata ende thonë se ndoshta është diçka rastësore dhe se ushtria ruse nuk do të synonte kurrë civilët. Se janë ukrainasit ata që po vrasin njerëzit e tyre”, shton më tej Oleksandra.
Është e zakonshme që ukrainasit të kenë familje përtej kufirit në Rusi. Por për disa, si Oleksandra, të afërmit e tyre rusë kanë një kuptim të kundërt të kësaj lufte.
Oleksandra thotë se nëna e saj thjesht përsërit ato që dëgjon në kanalet televizive, shtetërore, ruse.
“Më frikësoi vërtet kur mamaja ime citoi saktësisht televizionin rus. Ata thjesht po ua shpëlajnë trurin njerëzve. Dhe njerëzit u besojnë atyre”, thotë Oleksandra.
“Prindërit e mi e kuptojnë se disa veprime ushtarake po ndodhin këtu. Por ata thonë: ‘Rusët erdhën për t'ju çliruar. Ata nuk do të shkatërrojnë asgjë, nuk do t'ju prekin. Ata po synojnë vetëm bazat ushtarake'”.
Kanalet televizive shtetërore ruse justifikojnë e luftën duke fajësuar agresionin ukrainas dhe vazhdojnë ta quajnë atë 'një operacion special çlirimi'. Çdo media ruse që përdor fjalët 'luftë', 'pushtim' ose 'sulm' bllokohet nga rregullatori i medias së vendit për përhapjen e 'informacionit qëllimisht të rremë në lidhje me veprimet e personelit ushtarak rus' në Ukrainë.
Së fundmi, një ligj i ri ka kaluar në Parlamentin rus sipas të cilit njerëzit që përhapin informacione 'të rreme' për forcat ushtarake të Rusisë mund të burgosen deri në 15 vjet.
Disa rusë kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër luftës - por këto demonstrata nuk shfaqen në kanalet kryesore televizive shtetërore.
Lufta e Rusisë në Ukrainë, për televizionet ruse, është një histori tjetër.