Vrasja e Klodian Rashës, prokuroria kërkon 20 vite burg për efektivin Hajdaraj

20 vite burg ka kërkuar Prokuroria e Tiranës për ish efektivin e forcave Shqiponja, Nevaldo Hajdaraj. Ai akuzohet për vrasjen e të riut Klodian Rasha. Efektivi Hajdaraj qëlloi të riun në fund të vitit të kaluar pasi kishte dalë gjatë orës policore dhe teksa u thërrit për të ndaluar viktima u largua, efektivi e ndoqi nga pas dhe e qëlloi. Ngjarja ndodhi pak metra larg shtëpisë së tij.

Vetë ish polici ka pranuar vrasjen dhe ka kërkuar falje ndaj familjarëve të të ndjerit Klodian. Ai ka thënë se mendonte që Klodian Rasha ishte i armatosur.
Nga gjykimi i shkurtuar, Nevaldo Hajdaraj përfiton uljen e 1/3 të dënimit, ndërsa vendimi i Gjykatës së Tiranës pritet që të merret këtë muaj.
Në vendin ku ndodhi ngjarja u gjet edhe një armë e llojit pistoletë, por nga hetimet u zbulua se nuk kishte lidhje me ngjarjen.
Pak ditë pas ngjarjes, dhe protestave të shumta që u mbajtën, Sandër Lleshaj dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Brendshëm.
*Tiranapost.al.