Aktualitet

Babai i Klodian Rashës dhuron paratë për 11-vjeçaren që vuan nga skolioza dhe bën një apel për të gjithë

Babai i Klodian Rashës dhuron paratë për 11-vjeçaren

Babai i 25-vjeçarit Klodian Rasha, Qazim Rasha, i cili ndërroi jetë pasi u qëllua nga një efektiv i forcave Shqiponja pasi kishte thyer orën policiore, ka vendosur të dhurojë të gjitha paratë që i janë mbledhur si ndihmë pas vdekjes së të birit për kurimin e vajzës Adisës nga Shkupi, e cila vuan nga skolioza.

Teksa shprehu dhimbjen e mahe që i lënë pas humbja e të birit, Qazim Rasha tha për Neës24 se nuk mund të pranojë të fusë në shtëpi ndihmat që na kanë dhënë për Klodianin ndërkohë që shtoi se me to “të mundohemi të shërojmë një zemër nëne, një zemër prindi, një plagë”. Ai po ashtu iu drejtua të gjithëve me një apel, “mos lëndoni nëna, mos lëndoni zemra, mos merrni jetë”.

“Ju falënderoj që ndatë dhimbjen bashkërisht për djalin tim. Dhimbja e djalit tim është dhimbja e gjithkujt, është fatkeqësi e rëndë, është një bombë që nuk përjetohet, por mua më ra përpjesë. Mendova që pjesën time, për interesimin që bënë për djalin tim, që u munduan të ma lehtësonin dhimbjen, duke qenë se në shtëpinë time shumë njerëz kanë ardhur për të kontribuar për shpirtin e Klodianit, të mund t’ua kthej këtë në një gëzim. Nuk mund të pranoj t’i fus në shtëpi ndihmat që na kanë dhënë për Klodianit, se ai çfarë pati e mori me vete. Të mundohemi të shërojmë një zemër nëne, një zemër prindi, një plagë. Apeli im është mos lëndoni nëna, mos lëndoni zemra, mos merrni jetë. Duke falënderuar babain e artistit Noizy e të gjithë ata që më kanë ndihmuar, kam vendosur t’ia dhuroj paratë vajzës, që po dergjet. Të gjitha ndihmat për Klodianin t’i kalojnë shërimit të asaj vajze. Zoti e shëroftë. Plagë të tilla mos përjetoftë askush. Jam pa fjalë, çdo zemër të shërohet, asnjë zemër të mos lëndohet. Çdo nënë të gëzojë, çdo fëmijë të jetojë. Zoti i begatoftë zemrat e çdo shqiptari, asnjë familje mos e provoftë. Mundohuni të shëroni zemra, mos u mundoni të plagosni zemra.”, tha i ati i të ndjerit.