Dita e pestë e protestës kundër rritjes së çmimeve: Të ndryshëm, por me të njëjtin hall

Siç kishin paralajmëruar, qytetarët edhe sot janë mbledhur për të protestuar kundër rritjes së çmimeve në kryeqytet.
Protestuesit janë grumbulluar fillimisht në sheshin Skënderbej dhe marshuan drejt Kryeministrisë.

Pjesëmarrja ka qenë më e vogël se në ditën e djeshme, sipas raportimeve të mediave televizive.

Protestuesit kanë kërkuar dhe lirimin e qytetarëve që u arrestuan ditët e mëparshme të protestës.
Thirrjet e protestuesve kanë qenë: “Nuk dorëzohemi”, “kërkojmë një jetë me dinjitet, ashtu siç e meritojmë”, “Ju jeni e vetmja shpresë e këtij vendi. Të ndryshëm, por me të njëjtin hall”.
Protesta ka nisur rreth orës 11:00 dhe ka zgjatur afërsisht dy orë. Qytetarët kanë paralajmëruar se do të mblidhen çdo ditë në orën 17:00.

Pas largimit nga kryeministria një grup protestuesish bllokuan për disa minuta rrugën tek kryqëzimi i ‘Myslym Shyrit’, duke mos lejuar qarkullimin e makinave.
Kryeministri Edi Rama më herët ka shprehur se protestuesit janë një pakicë dhe jo populli, ndërsa ditën e djeshme qeveria miratoi paketën sociale për të cilën tha se gjysmë milioni njerëz do marrin për 3 muajt e ardhshëm 30 mijë lekë.
Tiranapost.al