Aktualitet

Gazeta e vetme që paralajmëroi epokën dixhitale

Gazeta e vetme që paralajmëroi epokën dixhitale

Nga Erjon Uka

Cilido që këto ditë ka shpenzuar disa minuta për t’u informuar mbi zhvillimet kryesore në botë, me shumë gjasa nuk i ka shpëtuar artikujve që “kremtuan” 50 vjetorin e lindjes së internetit. Sigurisht që përgjatë shekullit të kaluar risitë dhe arritjet nuk kanë qenë të pakta, por impakti që ka pasur interneti në ndërlidhjen e njerëzve dhe përdorimi i tij nga thuajse çdo sektor tjetër i jep një peshë të pazëvendësueshme.

Më 29 tetor 1969 u krye lidhja e parë e një kompjuteri me rrjetin, megjithëse bëhet fjalë një rrjet që quhej “Arpanet”. Në të vërtetë, Interneti dhe protokolli i tij për shpërndarjen e informacioneve erdhi pak vite më vonë. Megjithatë, përtej datave, vlen për t’u përmendur një fakt shumë interesant që lidhet me raportimin e kësaj ngjarjeje. Atë ditë nuk pati asnjë gazetar për të ndjekur procesin, asnjë interesim nga mediat për ta rrëfyer atë. I vetmi artikull, është ai i gazetës universitare të UCLA (University of California, Los Angeles) më 15 korrik 1969, ku pasi jep informacionet për pranimet në vitin e ri akademik, për mungesën e fondeve për rikonstruksionin e kampusit dhe rregullat për angazhimin e lektorëve të jashtëm, jep telegrafikisht edhe informacionin se dy kompjuterë do të lidhen me rrjetin pikërisht nga kampusi universitar. Një ngjarje që shënjoi fillimin e një epoke të re, por që kaloi në qetësi vrastare. Pikërisht, në mënyrë metaforike, prirem të mendoj për hakmarrjen e internetit, që nuk vonoi shumë për të marrë revanshin ndaj mediave tradicionale, praktikisht duke “vrarë” gazetat dhe njëkohësisht duke ndryshuar konceptin e mediave audio-vizive: struktura që dukeshin shtylla të konsoliduara dhe të paprekshme, të cilat kishin edhe monopolin e së vërtetës.

Artikulli i botuar në gazetën universitare të UCLA, më 1969.

Përvjetorët si ky i internetit, zakonisht shërbejnë edhe për të kryer një lloj reflektimi, mbi të gjitha duke krahasuar vizionin e pesëdhjetë viteve më parë me rezultatet e sotme. Sigurisht që interneti dhe teknologjitë e bazuara në të na e bëjnë komunikimin më të lehtë, shkëmbimin e të dhënave më të shpejtë, blerjet më eficente, informacionet më të larmishme, leximin më të thjeshtë, aksesin më të gjerë, por…

Por për të parë ndryshimin mes vizionit fillestar dhe pasojave të sotme, ndoshta do të vinte në ndihmë një intervistë e një prej pionerëve të Silicon Valley, Jaron Lanier, e përkthyer pak kohë më parë në shqip. Duke kujtuar momentet kur punohej për internetin, Lanier thotë se “ekzistonte ideja se nëse të gjithë do të kishim mundësitë thoshim gjithçka në cilindo moment, gjithçka do të ishte më demokratike. Por ngatërruam anarkinë me demokracinë.” Në Silicon Valley mbizotëronte një revoltë ndaj sistemit të deriatëhershëm të shpërndarjes dhe verifikimit të informacionit, kryesisht artikujt apo revistat shkencore, të cilat kontrolloheshin nga disa struktura përpara se t’u servireshin publikut. Sot, interneti i ka hapur rrugë informacionit masiv, ku këto struktura janë të pakta, të dobëta, të papërfillshme nga publiku. “Këto struktura u dobësuan nga interneti, sepse është një platformë gjigante globale dhe ajo që ndodh në platformat gjigante globale është ta çorientosh turmën në mënyrën që do. Për fat të keq, kur strategjia e përdorur ka për qëllim tronditjen e njerëzve me britma dhe ligësi, ata që fitojnë janë cinikët dhe të ligjtë, që promovojnë politika të cilat njerëzit nuk do të donin t’i kishin”, do të shprehej Lanier.

Prandaj sfida do të jetë vendosja e rregullave të lojës për këtë platformë që simbolizon lirinë absolute virtuale, por që në fakt është shndërruar edhe në mjet manipulimi, në çerdhe urrejteje, në dritare prej nga lëshohen sulme e fyerje, në makineri kontrolli dëshirash, në agjenci vjedhje të dhënash dhe pse jo, në burim vetmie. Siç e ka shprehur edhe Yuval Noah Harari në analizën e tij për komunitetet, njerëzit jetojnë më të vetmuar se kurrë në një planet të lidhur virtualisht më shumë se kurrë, duke e konsideruar këtë si shkaktaren e plagëve dhe tronditjeve socio-politike të këtij fillim shekulli.

Prandaj vendosja e rregullave mbi internetin, qoftë në nivele lokale ashtu edhe në nivele globale nuk duhet parë si një nismë që kufizon lirinë, por që rregullon hapësirën më të madhe të ndërveprimit mes qenieve njerëzore. Kush mund të thotë se një fyerje online qenka më e parëndësishme se një fyerje ballë për ballë? Pse mashtrimi online mund të tejkalohet, ndërsa ai real dënohet? Pse dënohet vjedhja e portofolit në rrugë, por jo e të dhënave personale në internet? Zbatimi në realitet i rregullave të privatësisë dhe ngritja e një mekanizmi pagese për të dhënat që kompanitë online marrin nga ndërveprimi me ne, do të ishin dy hapat e parë të nevojshëm. I pari ka nisur, megjithëse me shumë skepticizëm dhe kritika. I dyti ende jo. Pesëdhjetë vjet nga ekzaltimi për lindjen e internetit, duhen pasur vetëdija për të pranuar edhe eksternalitetet negative. Sidomos tashmë që virtualja është realiteti i ri.