Aktualitet

Ngatërruam demokracinë me anarkinë, Jaron Lanier: Kompanitë informatike mendojnë vetëm si të manipulojnë njerëzit

"Firmat informatike nuk po pasurohen falë shërbimeve të mrekullueshme që ofrojnë, por vetëm sepse mendojnë si të manipulojnë njerëzit. Në fillimet e internetit, ekzistonte ideja se nëse të gjithë do të kishim mundësitë thoshim gjithçka në cilindo moment, gjithçka do të ishte më demokratike. Por ngatërruam anarkinë me demokracinë."
Ngatërruam demokracinë me anarkinë, Jaron Lanier: Kompanitë

Jaron Lanier është një prej personaliteteve më të rëndësishëm të informatikës. Shkencëtar, shkrimtar, teknolog dhe artist ka qenë një prej krijuesve të realitetit virtual të viteve tetëdhjetë. Librat e tij të fundit, “Agimi i të resë” dhe “Dhjetë arsye për të mbyllur menjëherë llogarinë tënde sociale” janë një guidë për “të qëndruar të pavarur në një botë ku gjithmonë e më shumë gudulisemi nga algoritmet e kompanive më të pasura të historisë, të cilat si burim fitimi kanë vetëm manipulimin e sjelljes sonë”.

Në vitet tetëdhjetë ju ishin ndër pionerët e informatikës, që e shndërruan Silicon Valley ashtu siç e njohim sot. Por realiteti është mjaft ndryshe nga idetë tuaja. Çfarë shkoi gabim?

Kësaj pyetjeje nuk mund t’i përgjigjesh shpejt, është një histori e gjatë. Mënyra më e mirë për të shpjeguar se çfarë shkoi gabim është të thuash se një grusht i vogël njerëzish me shumë influencë, që fillimisht ishin inxhinierë apo matematikanë, kishin disa ide se si duhej të funksiononte bota. Ishin ide jo domosdoshmërish popullore apo të diskutuara në publik, por këto ide patën një influencë shumë të madhe në rrjetin e internetit siç e njohim sot. Të gjitha këto ide u prezantuan me sinqeritet dhe vullnet të mirë, por shumica rezultuan krejtësisht të gabuara. Nuk duhej të ishin në qendër të veprimeve tona. Në atë kohë, nuk isha i vetmi kritik, kishte edhe të tjerë, por ishim në minorancë.

Për çfarë idesh e keni fjalën?

Një prej gabimeve kryesore ishte ngatërrimi i anarkisë me demokracinë. Ekzistonte ideja se nëse të gjithë do të kishim mundësi të thoshim gjithçka të çdo moment, gjithçka do të ishte më demokratike. Kritikoheshin të gjitha mjetet e komunikimit, si revistat shkencore, shkrimet që botoheshin në ato kalonin disa filtra që siguronin se ishin kërkime cilësore, jo gënjeshtra. Këto struktura u dobësuan nga interneti, sepse është një platformë gjigante globale dhe ajo që ndodh në platformat gjigante globale është ta çorientosh turmën në mënyrën që do. Për fat të keq, kur strategjia e përdorur ka për qëllim tronditjen e njerëzve me britma dhe ligësi, ata që fitojnë janë cinikët dhe të ligjtë, që promovojnë politika të cilat njerëzit nuk do të donin t’i kishin.

Përtej cinizmit, a nuk besoni se në modelin e sjelljes së internetit ka edhe një dozë goxha të mirë pesimizmi?

Me siguri që është edhe ky aspekt i pakëndshëm sipas së cilit qeniet humane duhet të trajtohen si makineri për t’u manovruar. Kjo është ideja dominuese që qëndron prapa biznesit të internetit dhe është kthyer në idenë qendrore në të cilën bazohet industria më e madhe në botë për momentin. Nëse shohim të dhënat e firmave informatike vërejmë se po tejkalojnë kompanitë e mëdha të naftës dhe të transporteve, pra ato që bëjnë gjëra reale. Këto firma nuk po bëjnë para falë shërbimeve të mrekullueshme që ofrojnë, por vetëm sepse mendojnë për mënyra të reja për të shfrytëzuar njerëzit që prodhojnë shërbime, është një industri e bazuar në manipulim. Kjo është e pabesueshme. Është një qasje pesimiste, po, por në një formë tjetër mund të përkufizohet si egoiste. Sepse në që punojmë në zemër të sektorit teknologjik e mendojmë veten si njerëz të rëndësishëm, si ata që meritojnë më shumë, si ata më inteligjentë që po ndryshojnë botën. Ne jemi aktorët kryesorë, të gjithë të tjerët vijnë poshtë nesh. Meqenëse ne jemi njerëz të zotë, do të gjejmë edhe disa mënyra që të tjerët të kenë përfitime nga e gjithë kjo, por gjithmonë sipas standardeve tona.

Jemi ende në kohë për të bërë indietro apo thjesht e kemi humbur mundësinë?

Mendoj se ka kohë, mund të ndryshojmë rrugë dhe sa më shpejt ta ndryshojmë aq më mirë do të jetë për të gjithë. Mund të them një metaforë?

Nuk do t’ia ndalonim kurrë Jaron Lanierit të thoshte një metaforë.

E di se shumë njerëz përdorin ngritjen e nazizmit në vitet njëzetë si metaforë për gjithçka, prandaj nuk dua ta ekzagjeroj, por ka diçka që nuk theksohet sa duhet dhe është fakti se regjimi gjerman ishte pionier në përdorimin e teknologjive dhe të medias në atë kohë për propagandë: televizor, kinema, radio dhe mjete të tjera. E them këtë për të nënvizuar faktin se kur prezantohet një medium i ri dhe njerëzit ndikohen shumë nga ai, ekziston gjithmonë mundësia që dikush ta përdorë për të manipuluar popullsinë duke centralizuar pushtetin. Sot shohim aktorë të ndryshëm që e përdorin internetin për qëllime të ngjashme.

Në një sistem të shfrenuar kapitalist, a mund ta ndryshojmë teknologjinë pa ndryshuar shoqërinë? A mund të kemi një teknologji më të mirë në një shoqëri të kapitaliste të pashpirtë?

Shumë teknologë mendojnë se idetë tradicionale të ekonomisë dhe qeverisjes janë tejkaluar, ndaj duhet t’i injorojmë dhe të ndërtojmë një shoqëri të re të bazuar në arkitekturën teknologjike. Por unë nuk jam dakord, sepse mendoj se ende kemi nevojë për sensin e dinjitetit njerëzor që gjërat të funksionojnë, sepse përndryshe nuk ka fort rëndësi se sa e mirë është arkitektura jote dixhitale, gjithçka do të shembet kur të prekë realitetin. Nuk mendoj se arkitektura dixhitale është një zgjidhje në vetvete, por them se duhen bërë ndryshime në strukturat tona politike, ligjore dhe ekonomike. Për sa kohë jetojmë në një sistem ekonomik që funksionon në aspektet e tij thelbësore, ajo që duhet të bëjmë nuk është të kërkojmë një sistem utopik, por thjesht të shmangim katastrofën. Do të isha shumë i kënaqur sikur të arrinim në këtë pikë.

Shpesh ju përkufizoheni si një anti-utopist. Por, paksa utopi është e nevojshme nëse duam të mendojmë për një botë të ndryshme, si në teknologji, ashtu edhe në fusha të tjera.

Jam dakord. Besoj se është e nevojshme pasja e një ideali në mendje. Do të doja një shoqëri që njeh vlerat e njerëzve. Një shoqëri që përbuz mizorinë dhe vuajtjen dhe gjen mënyra kreativa për të evituar imponimin e mizorisë dhe vuajtjeve mbi individët.

A është e mundur? Si mund të na ndihmojë teknologjia ta rrijmë, ose të paktën t’i afrohemi?

Eh, duke iu rikthyer debatit mbi utopinë, shpesh për teknologjinë e informacionit është folur në mënyrë utopike... Për të qenë i sinqertë, jam pjesërisht përgjegjës për këtë sepse kam futur fjalën “empati” në diskutimet mbi teknologjinë dhe marketingun e produkteve teknologjike me idenë se nëse lidhesh me persona të tjerë mund t’i vlerësosh e t’i kuptosh më mirë. Por në kushtet e sotme ku qëllimi është t’i kthejmë njerëzit në qenie të ndërvarura duke i shpërqendruar nga jeta, ndodh pikërisht e kundërta e kësaj. Kjo bën që njerëzit të urrejnë njëri-tjetrin, duke shkaktuar një konflikt më të madh social se ai që kemi pasur më herët. Më shumë se konflikt, është ankth social.

Ajo që po thoni, nëse po e kuptoj siç duhet, është se vetëm teknologjia nuk është e mjaftueshme.

Ajo që po them është se edhe pse jemi duke futur shumë automatizim teknologjik, funksionimi varet vetëm nga të dhëna që vijnë nga njerëz. Nëse do të arrijmë të krijojmë një model në të cilin jo vetëm të dhënat tona kanë një vlerë ekonomike, por edhe të jetojmë duke krijuar këto të dhëna, do të kemi gjetur një mënyrë për t’u angazhuar të gjithë. Si model ideal, kjo është një zgjidhje potenciale në afatgjatë. Sigurisht është më mirë se të rrimë të ulur, duke u ndjerë të panevojshëm, teksa robotët e bëjnë gjithë punën për ne./ Shqipëroi Erjon Uka për "Blogu i rërës" në Tiranapost.al