Ç`ndodh në Dubai Expo 2020? Rrëfimi i një shqiptareje që ishte atje

Nga Matilda Sulmeta/ Që në fillimet i tij, ky panair botëror iu ka dhënë një shans vendeve që të tregojnë versionin më të mirë të vetes përmes historisë, arkitekturës, artit dhe teknologjisë.
Kombet nga e gjithë bota mblidhen për të treguar në mënyrë konstruktive produktet dhe aftësitë e tyre e për të ndarë me krenari informacione rreth vendlindjeve dhe atdheut të tyre.
Ekspozitat e këtij kalibri luajnë një rol të rëndësishëm në krijimin e një skene globale ku të gjithë mund të angazhohen për të shkëmbyer ide, inovacione teknologjike dhe trashëgimi kulturore e të gjejnë mbështetës për zhvillime të ndryshme përtej kufijve kombëtare.
Në një botë që është kthyer përmbys vitet e fundit nga pandemia, katastrofat mjedisore dhe trazirat e ndryshme, Expo 2020 Dubai sjell tematika që kanë të bëjnë me komunikimin, shërimin dhe ndërtimin e një bote më të mirë. “Lidhja e mendjeve, krijimi i së ardhmes” është tema zyrtare e Expo-s, ndërsa panairi ka dhe tre nëntema po aq të rëndësishme që janë qëndrueshmëria, mobiliteti (lëvizshmëria) dhe mundësitë.
Një nga synimet jo më pak të rëndësishme të ekspozitave botërore është të promovojë vendin mikpritës. Si e para ekspozitë e mbajtur në Lindjen e Mesme, panairi i dha një shans Emirateve të Bashkuara Arabe të tregohen përpara botës si një vend modern, tolerant dhe me plot mundësi.
Një vend që në 50 vjet arriti të krijojë magji nga asgjëja dhe që di të balancojë me mjeshtëri modernitetin dhe trashëgiminë. Pas Expo 2015 Milano, kjo është hera e dytë që vizitoj këtë panair dhe mund të them që Emiratet Arabe kanë bërë një punë shumë të mirë në promovimin e vendit të tyre.
Si për çdo gjë tjetër, dhe për këtë panair ka shumë vend për diskutim për sa i përket mënyrës si u ndërtua, shumës së parave të harxhuara dhe nëse qëllimi e justifikon mjetin, por Hej, çdo gjë në botë ka nevojë për njëfarë verbimi/ndriçimi për të treguar të ardhmen dhe të tërhequr njerëzit që të përvetësojnë çështjet komplekse me lehtësi e të shikojnë “the bigger picture”.
Askush nuk do e kujtonte ekspo-n e Parisit po të mos ishte Kulla Eiffel kështu që le të shpresojmë që bota t’i kthejë reflektorët nga Lindja e Mesme dhe Emiratet Arabe për Ekspo-n magjepsëse dhe t’i mbajë ata përgjegjës për praktikat jo aq të mira të ndërtimit të shtetit të tyre.
Këtë vit në Expo marrin pjesë një rekord prej 192 vendesh dhe për herë të parë secili shtet ka pavijonin e vet. Nga këto unë arrita të vizitoja vetëm 21 vende.
U mahnita nga pavijoni i Italisë, i ndërtuar me trupin e tre varkave gjigante dhe i mbështjellë me perde litari e prodhuar me plastikë të ricikluar, nga pylli artificial i Spanjës i ndërtuar në 3D, nga shfaqja e Australisë, nga pavioni i Marokut i ndërtuar me një teknikë të përpunimit të dheut që shërben si alternativë e çelikut dhe karbonit, nga Singapori që përmbante më shumë se 80,000 bimë të organizuara si kopshte të varura, nga Holanda që tregonte progresin e bërë në menaxhimin e përmbytjeve, nga ndërtesa multifunksionale në formë skifteri e Emirateve Arabe e ndërtuar me fibër karboni etj etj.
Mësova shumë dhe duke eksploruar vende të tjera më të vogla, por që i kishin kushtuar një rëndësi të madhe ekspozitës si "Angola" që kishte ndërtuar një fasadë me panele diamanti e frymëzuar nga një metodë e lashtë e vizatimit të rërës dhe nga "Guinea" që tregonte shumë bukur historinë e rolit jetik mjedisor dhe financiar të ujit Iivene në rrezik nga një grusht shteti.
Dhe ëmbëlsira për në fund; pavioni i Shqipërisë gjendej në nëntemën e Mobilitetit (Levizshmërisë), duke përforcuar pozicionin tonë (gjeografik e kulturor) si një urë lidhëse mes vendeve dhe njerëzve.
Ishte i pari që vajta të vizitoja në Ekspo dhe kisha pritshmëri shumë të larta. Më duhet të them që kishte progres në krahasim me pavijonin në Milano në 2015 por prisja më shumë. Me pëlqyen shumë kostumet popullore, lahuta, modelet e ndërtuara të liqeneve të Lurës, të kalasë së Gjirokastrës dhe Beratit dhe më pëlqeu shumë instalacioni me gurë mineral nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Koncepti i krijuar ishte i bukur por jo i plotë. Nuk më përcolli energjinë e një vendi që ka mbi 30% të popullsisë nën 30 vjeç.
Unë ndjek në rrjetet sociale dhe në media, njerëz shumë të talentuar që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri dhe i përkasin fushave të ndryshme nga inxhinieria e përpunimit të metaleve, te agrikultura, arkitektura e fotografia. Jam e bindur që përfshirja e tyre në një projekt të këtyre dimensioneve do ta kishte bërë vizitën në pavionin shqiptar të paharrueshme.
Në një panair të këtyre përmasave duhet diçka ʺcatchyʺ – e shpejtë dhe tërheqëse – ndoshta një video si Australia, që të jepte disa informacione kyçe, por dhe të shtynte të kërkosh më shumë për të thelluar disa njohuri.
Mungonte dhe një kënd ku të mund të blije “Made in Albania”. Nuk di të them ku qëndron problemi, te fondet apo tek neglizhenca. Në qoftë se te fondet, unë bëj pjesë tek ata që do zgjidhja të investoja në përmirësimin e infrastukturës/shkollimit në vend të një pavioni të zbukuruar për një kohë të shkurtër, por në qoftë se është thjesht çështje neglizhence më merzit pasi humbëm një tjetër shans për t`i treguar botës kush jemi dhe çfarë dimë të bëjmë.
Panaire të tilla shërbejnë për të lidhur mendjet dhe për të përmirësuar të ardhmen. Kjo dekadë që po vjen është shumë kritike për të gjithë njerëzimin. Në qoftë se përpiqemi ta kuptojmë siç duhet, do të kemi akoma mundësi të përmiresojmë gabimet e të shkuarës, të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të mundohemi të krijojmë një të ardhme të shëndetshme për veten dhe brezat pasardhës.
Tiranapost.al