Vuçiç: Nga nesër Serbia do të ndalojë eksportet e miellit, grurit dhe vajit të misrit

Serbia do të ndalojë eksportet e vajit të misrit, grurit dhe miellit duke filluar nga dita e nesërme në përpjekje për të siguruar çmime të qëndrueshme për vendin, tha presidenti Aleksandar Vuçiç.
“Në dy ditët e fundit, eksportet e vajrave bimore u rritën me 109% krahasuar me nivelin mesatar të tij, kështu që ne duhej të reagonim”, tha Vuçiç në një intervistë me televizionin privat B92 të martën.
Në fund të janarit, qeveria zgjati me 90 ditë ngrirjen e çmimeve të sheqerit, miellit të grurit të llojeve T-400 dhe T-500, vajit të lulediellit, mishit të derrit dhe qumështit me 2.8% yndyrë duke i mbajtur në nivelet e 15 nëntorit, një përpjekje kjo për të zbutur ndikimin e inflacionit në standardet e jetesës të serbëve.
Sipas vlerësimeve të Zita Srbije, shoqata e prodhuesve serbe të drithërave, në vitin 2021 vendi pritej të eksportonte 1.8 milion ton grurë dhe 1.6 milion ton misër.
Sipas të dhënave të zyrës statistikore, Serbia korri 3.54 milion ton grurë dhe 6.24 milion ton misër vitin e kaluar.