Opinion

Pse Putin do pendohet që e shpalli këtë luftë?

Pse Putin do pendohet që e shpalli këtë luftë?

Gjeneralmajori në pension i ushtrisë amerikane, Mike Repass parashikon një fushatë të rusëve që mund t'i shndërrojë qytetet e Ukrainës në rrënoja, duke krijuar një krizë refugjatësh që pushton vendet kufitare dhe destabilizon Evropën Qendrore dhe Lindore.

Por Repass beson se teksa rusët mund të jenë në gjendje ta mundin Ukrainën, ata nuk do të jenë në gjendje ta mbajnë vendin të pushtuar, sepse Putini nuk ka forca të mjaftueshme për të pushtuar pjesë të mëdha të Ukrainës për një kohë të gjatë. Me pak fjalë, Putini ka kafshuar më shumë se sa mund të përtypë.

Repass: Përfundimi është se forcat ushtarake ukrainase e kanë treguar veten jashtëzakonisht mirë deri më tani në luftë. Rusia do ta ketë shumë të vështirë t'i nënshtrojë, sepse ata janë të gatshëm të luftojnë derisa të bëhet në dukje 'e kotë' e gjithë kjo, ose Rusia të mos ketë më burime për ta bërë këtë.

Ukrainasit janë sfiduar nga teknologjia ruse dhe janë pushtuar nga tanket ruse, artileria, raketat me precizion me rreze të gjatë veprimi, transportuesit e blinduar të personelit, por terreni ama favorizon mbrojtësit, veçanërisht në veri dhe lindje të Ukrainës, megjithëse më pak në jug.

Unë mendoj se koha është në anën ruse dhe ata do të jenë në gjendje ose të krijojnë kushte për paqe të përshtatshme për pëlqimin e Putinit, ose do të shkatërrojnë plotësisht qytetet e Ukrainës dhe ushtrinë ukrainase bashkë me të.

Bergen: Pse ukrainasit po luftojnë më mirë nga sa pritej?

Repass: Nuk jam i befasuar se sa mirë po lufton ushtria e Ukrainës. Jam i habitur nga letargjia e sulmit rus; duket se është i ngadalshëm dhe po luhatet deri në veri. Në jug, duket se po bëjnë përparim të qëndrueshëm.

Putin priste që ukrainasit të kapitullonin si në 2014-ën kur ai pushtoi Krimenë, por në përgjithësi, NATO dhe SHBA kanë bërë një punë madhështore në trajnimin e ushtrisë ukrainase, reformimin e saj dhe ndërtimin e një force të qëndrueshme të mbrojtjes kombëtare që nga viti 2014. Dallimi ndërmjet asaj kohe dhe të tashmes është se udhëheqja e Ukrainës është vendosur të bashkohet me Perëndimin, politikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht.

Bergen: Mendova se sulmi i Putinit ndaj Ukrainës do të ishte si ai i ushtrisë amerikane që pushtoi Bagdadin në 2003-shin dhe se rusët do t'ia prisnin kokën shpejt regjimit ukrainas.

Repass: Unë mendoj se kjo ishte ajo që priste bota. Pra, nga pikëpamja strategjike, mendësia e NATO-s ishte, 'Hej, ne nuk do të përfshihemi. Ne nuk do të rrezikojmë kapitalin politik me një fuqi tjetër bërthamore’. Megjithatë, tani, ne kemi një realitet tjetër gjeostrategjik në atë që mbrojtja e Ukrainës është mjaft e qëndrueshme. Unë mendoj se ukrainasit janë në pararojë të mbrojtjes së demokracive liberale të Evropës.

Bergen: Për ukrainasit, çfarë armësh duhen tani nga NATO dhe SHBA? Apo është në pikën ku është tepër vonë për të marrë armë për shkak të çështjeve logjistike?

Repass: Jo, nuk është shumë vonë. Çdo komandant taktik ukrainas kërkon mbrojtje ajrore dhe armë antitank. Ata duan armë të mbrojtjes ajrore si Stingers ose SA-7, dhe duan armë antitank. Ata e dinë se ku është armiku. Ata e dinë se si të arrijnë tek ai, por nuk i kanë mjetet në terren.

Ka mbingarkesë në rrugën e dërgesës së armëve të NATO-s, sepse boshti u hap vetëm ditë më parë dhe ata nuk kanë arritur ende në njësitë taktike të Ukrainës.

Gjëja e dytë është sepse nuk është një operacion i NATO-s, NATO nuk është përgjigjur në mënyrë të zyrtarizuar për të ngritur qendrat e koordinimit të lëvizjes dhe qendrat e kontrollit logjistik.

Bergen: Pse një kolonë ruse 40 km e gjatë është në rrugë duke u përpjekur të marrë Kievin? Duket një qasje e çuditshme.

Repass: Po. Të gjithë po mendohen në lidhje me këtë. Kolona u nis me segmente. Dhe ato segmente ishin diku midis 50 dhe disa qindra automjeteve në të njëjtën kohë. Ideja ishte që këto segmente të hynin nga pak, por më pas ngjeshja e tyre nisi të ndodhte për shkak të fataliteteve luftarake dhe avarive.

Gjithashtu, nëse automjetet dhe tanket dalin nga ajo rrugë, atëherë do të hyjnë në një moçal. Ka baltë në rajon që vazhdon kryesisht edhe gjatë pranverës, duke filluar nga tani për gjashtë javë të tjera apo më shumë.

Pra, lëvizshmëria është jashtëzakonisht e frenuar në pjesën veriore të vendit.

Bergen: Pse ishte planifikuar kaq keq kjo?

Repass: Rusët nuk e kanë bërë këtë nivel planifikimi dhe ekzekutimi në asnjë nga ushtrimet e tyre stërvitore. Pra, ata janë disi të panjohur me aspektet e mëdha të manovrimit dhe mbështetjes së asaj që po përpiqen të bëjnë.

Bergen: Çfarë vjen më pas?

Repass: Një fushatë ruse për t'i shndërruar qytetet në rrënoja, duke krijuar një krizë refugjatësh, duke mposhtur kufijtë dhe kombet kufitare dhe duke destabilizuar Evropën Qendrore dhe Lindore.

Ata do të synojnë infrastrukturën qeveritare dhe më pas mjetet e komandës dhe kontrollit -- komunikimet publike, internetin, kullat e radios, kullat e telefonave celularë -- çdo gjë që mund të bëjnë për të ndërprerë komunikimet, në mënyrë që të ndajnë njerëzit nga qeveria.

Me këtë fushatë ata duan të krijojnë tronditje dhe panik masiv në shoqëri për të krijuar sfida komplekse për pushtetin dhe për të degraduar vullnetin e popullit. Tashmë rreth një milion refugjatë kanë kaluar kufijtë nga një popullsi prej rreth 41 milionë. Kjo do të rritet ndjeshëm. Do të keni disa milionë njerëz që hyjnë në perëndim.

Bjellorusia dhe Rusia ka të ngjarë të shpallin ligjin ushtarak dhe ata do të jenë në gjendje të shtypin të gjitha llojet e diskursit publik, mediave, internetit dhe të zvogëlojnë çdo potencial për rezistencë ose përpjekje për grusht shteti brenda vendeve të tyre.

Ata ka të ngjarë të kombinojnë forcat, të lëvizin për të mbyllur kufirin perëndimor të Ukrainës, së pari, për të krijuar një fatkeqësi më të madhe humanitare në Ukrainë; dhe së dyti, për të ndërprerë çdo furnizim që vjen nga Perëndimi.

Unë mendoj se në atë moment, ushtria e Ukrainës, do të vazhdojë të luftojë kryesisht në perëndim të lumit Dnieper. Në vende të tjera, veçanërisht në qendrat urbane të Ukrainës, do të kemi një kryengritje. Një rezistencë do të ngrihet ndoshta e planifikuar paraprakisht, dhe ata do t'u shkaktojnë dhimbje dhe shkatërrim rusëve aq sa të munden.

Këtu hyn në lojë termi 'i patretshëm'. Rusët mund të jenë në gjendje të konsumojnë Ukrainën, por ata nuk mund ta tresin atë. Do të jetë shumë e dhimbshme për ta mbajtur atë, dhe përfundimisht ata do të duhet ta pështyjnë. Në thelb, kostoja e okupimit është shumë e madhe në krahasim me përfitimet.

Rusët mund të kontrollojnë përfundimisht zonat urbane, por ka zona të mëdha mes tyre -- 50 kilometra, 80 kilometra larg njëri-tjetrit -- ku nuk ka asgjë. Ka shumë fshatra të vegjël dhe qytete të vogla që nuk kontrollohen nga rusët.

Shkatërrimi do të tmerrojë Evropën dhe Amerikën e Veriut. Argumenti i mosndërhyrjes përfundimisht do të anashkalohet nga problemi i vuajtjes njerëzore. Dhe më pas, potencialisht një koalicion i vullnetarëve mund të imponojë diçka si për shembull një vijë e një zone ndalim-fluturimi ose strehë të sigurta për refugjatët dhe qytetarët e zonave kryesore metropolitane.

Bergen: Pra, ato strehë të sigurta mund të duken paksa si lloji i strehës së sigurt që SHBA themeloi në Kurdistan në Irak në vitin 1991?

Repass: Po, diçka e tillë, në Ukrainën perëndimore.

Bergen: Cili është minimumi që Putini dëshiron të arrijë në Ukrainë?

Repass: E vetmja gjë kritike që Putini do të ketë, është kontrolli i Kanalit të Krimesë së Veriut.

Bergen: Pse?

Repass: Sepse kur ai pushtoi Krimenë dhe Donbasin në vitin 2014, ukrainasit mbyllën burimin e Kanalit të Krimesë së Veriut në lumin Dnieper. Ata janë mbështetur në ujërat nëntokësore në Krime deri në atë kohë, dhe më pas ujërat nëntokësore janë tharë. Pra, Putini nuk ka pasur ujë të freskët në Krime deri më tani. Ajo që ai gjithashtu donte të kishte është një urë tokësore nga Donbasi për në Krime. Ai në thelb do të kishte kontrollin e të gjithë territorit në lindje të lumit Dnieper, duke shkuar deri në Kiev dhe më pas duke u shtrirë në veri dhe lindje deri në Donbas. Nëse Putin kap mjaftueshëm territor në lindje të lumit Dnieper, atëherë ai është i gatshëm të bëjë pazare për gjithçka tjetër. Por edhe me territorin gjeografik që sapo përshkrova, rreth 175,000 trupat e Putinit të vendosura aktualisht në dhe rreth Ukrainës nuk janë të mjaftueshme për të mbajtur kontrollin e asaj gjeografie.

Bergen: Sa fuqi punëtore do t'i duhej Putinit për të kontrolluar territorin?

Repass: Vështirë të thuhet.

Rusët duhet të kenë mjaft njerëz për të detyruar 41 milionë njerëzit në Ukrainë të bashkëpunojnë me qeverinë ruse. Pra, nuk e di se si Putini mund të jetë në gjendje ta arrijë këtë.

Unë mendoj se demokracitë liberale perëndimore kanë një detyrim moral për të mbështetur një komb që lufton për pavarësinë e tij. Nëse jo këtu, çfarë duhet të mendojë Gjeorgjia dhe Azerbajxhani nga ndrojtja jonë përballë së keqes? Me siguri Tajvani do jetë i radhës.

Unë besoj se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës është rasti kur shtetet e forta ushtarakisht janë pre e atyre më të dobëta. Pak prej nesh mendonin se do të ishim në këtë pikë, por ja ku jemi. Çfarë do të bëjmë tani?

Historia ka qenë e pamëshirshme me kombet kur tolerojnë një agresion të tillë. Konceptet e integritetit territorial dhe demokracisë nuk mund të përfundojnë në kufijtë e NATO-s. A duhet t'i lihet pjesa tjetër e botës ujqërve ndërkohë që ka vetëm një ishull sigurie në mes?