Lajme nga Bota

Zelensky i drejtohet Putinit: Ka ardhur koha për një takim. Bisedimet janë shansi juaj i vetëm për të kufizuar dëmet nga gabimet e bëra

Zelensky i drejtohet Putinit: Ka ardhur koha për një takim. Bisedimet
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thotë në një video se bisedimet kuptimplota të paqes me Rusinë janë shansi i vetëm i Moskës për të kufizuar dëmin e shkaktuar nga sanksionet e vendosura për shkak të pushtimit të Ukrainës.

"Bisedimet e paqes, arritja e marrëveshjes për sigurinë tonë, të Ukrainës, të drejta dhe pa vonesa janë e vetmja mundësi për Rusinë që të kufizojë dëmet prej gabimeve të saj. Kemi insistuar gjithmonë për dialog, për zgjidhje për paqe. Jo vetëm gjatë 23 ditëve të pushtimit. Dua që të gjithë të më dëgjojnë tani, veçanërisht në Moskë. Ka ardhur koha për një takim, është koha për të folur. Ka ardhur koha për të rivendosur integritetin territorial dhe drejtësinë për Ukrainën. Përndryshe, humbjet e Rusisë do të jenë të tilla që as disa breza nuk do të mjaftojnë për t'u rikuperuar."

Zelensky tha edhe se forcat ruse po bllokonin qëllimisht furnizimet me ndihma humanitare për qytetet e sulmuara.

"Kjo është një taktikë e qëllimshme... Ky është një krim lufte dhe ata do të përgjigjen për të, 100%,," tha ai.

Ukraina dhe Rusia janë përfshirë në disa raunde bisedimesh deri më tani, duke filluar në Bjellorusi dhe së fundmi duke u zhvilluar përmes video-konferencës.

Megjithatë, ata ende nuk kanë arritur një marrëveshje për një armëpushim ose një tërheqje.