Macron bisedë telefonike me Putin. Çfarë diskutuan në 1 orë e 30 minuta?

Me kërkesë të qeverisë ukrainase, presidenti francez, Emmanuel Macron, ka folur me homologun e tij rus Vladimir Putin, tha në një deklaratë pallati Elysée.
Në telefonatën që zgjati një orë e 30 minuta thuhet që “Presidenti përsëriti kërkesën e komunitetit ndërkombëtar që Rusia të ndalojë ofensivën e saj kundër Ukrainës dhe ripohoi domosdoshmërinë e vendosjes së menjëhershme të një armëpushimi.”
Ndërkohë që negociatat zhvillohen midis Kievit dhe Moskës në kufirin me Bjellorusinë, Macron gjithashtu i kërkoi Putinit të sigurojë që derisa të mbarojnë bisedimet civilët dhe shtëpitë e tyre, infrastruktura civile e të gjitha rrugët kryesore të mos sulmohen.
Putin "konfirmoi gatishmërinë e tij për t'u përkushtuar për të tre pikat", thuhet në deklaratën e Elysee.
Macron gjithashtu i bëri thirrje Putinit të sigurojë respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar, mbrojtjen e popullatës civile, transportit të ndihmave dhe i kërkoi presidentit rus të "qëndrojë në kontakt gjatë ditëve në vijim për të shmangur përkeqësimin e situatës".