Biden miraton paketën e ndihmës prej 13.6 miliardë dollarësh për Ukrainën. Ja çfarë përfshin ajo

Joe Biden ka nënshkruar Aktin e Ndarjeve të Konsoliduara, projektligj i cili përfshin 13.6 miliardë dollarë financim për Ukrainën.
Shuma e ndihmës që përfshin legjislacioni për Ukrainën u rrit nga 10 miliardë dollarë që Shtëpia e Bardhë kishte planifikuar në fillim të muajit gjatë negociatave të minutës së fundit midis ligjvënësve amerikanë.
Çfarë përfshin paketa e ndihmës?
Ndihma ushtarake: Rreth 6.5 miliardë dollarë, afërsisht gjysma e paketës së ndihmës, do t'i shkojnë Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, në mënyrë që të vendosë trupa në rajon dhe të dërgojë pajisje mbrojtëse në Ukrainë.
SHBA ka vendosur mijëra trupa në të gjithë Evropën, si para dhe gjatë pushtimit rus të Ukrainës. Por vendosja e trupave në terren në Ukrainë, e cila nuk është anëtare e NATO-s, është një vijë që SHBA dhe aleatët e saj perëndimorë nuk kanë qenë të gatshëm ta kalojnë deri më tani.
Ndihma humanitare: Më shumë se 4 miliardë dollarë do të ofrojnë mbështetje humanitare për refugjatët që ikin nga Ukraina dhe njerëzit e zhvendosur brenda Ukrainës, si dhe do të ofrojnë ndihmë urgjente ushqimore, kujdes shëndetësor dhe mbështetje urgjente për komunitetet e cenueshme brenda rajonit.
Ndihma ekonomike: Paketa do të sigurojë gati 1.8 miliardë dollarë ndihma në përgjigjen e nevojave ekonomike në Ukrainë dhe vendet fqinje, të tilla si siguria kibernetike dhe çështjet e energjisë.
Ligji kërkon edhe 25 milionë dollarë për Agjencinë Amerikane për Media Globale, një agjenci e pavarur federale, për të luftuar dezinformimin në transmetimet e lajmeve jashtë vendit. 120 milionë dollarë të tjera do të ndihmojnë në mbështetjen e aktivistëve dhe gazetarëve vendas të Ukrainës dhe do të promovojnë përgjegjësinë për shkeljet ruse të të drejtave të njeriut.