Amazona është krijesë e gjallë, nuk është një katedrale!
Jonida Hitoveizi
Para syve tanë po digjet një nga ekosistemet më të mëdha në botë dhe bota duket se ka mbyllur sy e veshë. Asnjë reagim deri ditën e djeshme, asnjë lider botëror, asnjë milioner, asnjë miliarder, as njerëzit e thjeshtë që jetojnë afër mushkërisë së botës, nuk e vunë ujin në zjarr, po i vunë zjarrin pyllin për të soditur shkrumbimin e tij.
Shkrumbim, i cili me shumë gjasa fsheh pas një skenar makabër të njeriut për të ngritur aty pallate shumëkatëshe apo agrobiznes për milionerët. Janë plot 70.000 zjarre në Amazonë, gjë që trgon vendosmërinë për ta zhdukur atë nga faqja e dheut. Është e çuditshme sesi njeriu modern ka arritur në këtë pikë, ku interesohet veç për çastin, për pasurimin e tij duke mos menduar aspak se çfarë trashëgimie do të lërë pas. Pale pastaj hipokrizia në të tilla raste, kur marrin pjesë në evente bamirësie, aq mirë të kuruara për t’i përshfaqur botës zemrën e madhe e të ndjeshme.
Më vjen ndërmend një shprehje shumë e bukur e indianëve të Amerikës që thotë: “Merrni çfarë ju duhet dhe lëreni tokën siç e gjetët”. Tashmë kjo urtësi nuk ekziston më ashtu siç nuk ekzistojnë më as banorët që e kishin moto të jetës së tyre në këtë tokë. Ne tashmë kemi një botë, të cilën e kemi shfrytëzuar në mënyrën më barbare të mundshme.
Ndoshta në hallet tona të përditshme Amazona duket shumë larg, se ne kemi halle bashkish, hallet e turistit spanjoll, hallet e sherreve të politikës dhe shumë të tjera banale siç vet mbijetesa jonë. Por, ai pyll, ai ekosistem që strehon mijëra krijesa të mrekullueshmë është një siguri në frenimin e mëtejshëm të ngrohjes globale, është një garanci edhe se njeriu diti ta ndalë makutërinë e tij, t’i vërë fre.
Do të dëshiroja shumë të ishte kështu!
E di që shumëkush mund të qesh me shqetësimin për Amazonën, ndaj dua për një çast të ndalemi dhe të mendojmë për kafshët dhe speciet e shumta që jetojnë aty, pa llogaritur pemët shekullore . A mund të mbyllim sytë për një çast dhe me sytë e mendjen të shohim se çfarë po ndodh, kafshë të rralla, të vegjëlit e tyre, shpend që digjen të gjalla. Që nuk dinë ku të shkojnë. Që i trullos, asfiksohen nga tymi, nga dora jonë, nga heshtja jonë. Amazona është shpirt i gjallë i qindra banorëve të saj dhe ne nuk qajmë dot për të, jemi indiferentë. Sepse fundja është thjesht një pyll apo jo? Mund edhe të qeshim. Por nga ana tjetër të gjithë ne dhe bota mbarë u qurravit për Katedralen e Parisit. E quaj qurravitje kur e krahasoj me Amazonën pavarësisht se aty ishin gurët që kishin historinë e tyre, që jeëzonin shpirtin e një kombi. Por asesi bashkë nuk mund të krahasohen.
Do doja që Amazona të ishte një lajm i rremë. Do doja që liderët që udhëheqin këtë planet të ishin solidarizuar, të kishin bërë presion, që shfarosja të ndalet, që njeriu të ketë shpresë. Uën dua të kem shpresë, që fëmijëve tanë do mund t’ju lëmë një tokë të banueshme, ashtu siç e gjetëm. Zoti pastë mëshirë për Tokën. Zoti pastë mëshirë për të ardhmen e fëmijëve tanë./ Tiranapost.al