Shqipëria, nga dita e djeshme, ka 3 emrat e parë të Komisionit të Vettingut. Por po nga dje nuk ka më një organ për emërimet dhe shkarkimet në drejtësi, për masat disiplinore, për pezullimin, transferimin dhe vlerësimin e punës së gjyqtarëve.
Kjo pasi Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk mund të mblidhet më, pasi çdo mbledhje dhe vendim pas datës 11 prill, janë të paligjshme.
Në bazë të Kushtetutës, pika 1 e nenit 277 të ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, parashikon që mandati i anëtarëve aktualë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë përfundon në ditën kur zgjidhet anëtari i fundit i Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Por në çdo rast jo më vonë se 8 muaj pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve Kushtetuese. Kjo do të thotë, se nga dje ka përfunduar mandati i të gjithë anëtarëve të KLD, bashkë me kryetarin Bujar Nishani.
Sipas kësaj, një tjetër ngërç në sistemin e drejtësisë dhe monitorimin apo reformimin e saj ka dalë në skenën e aktualitetit shqiptar. Gjithnjë në pritje të ngritjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor, organ i cili sipas Kushtetutës së re do të zëvendësojë KLD. /Copyright Tiranapost.al/