Shije

Sekretet e sfidës së dietës 10-ditore (u bëra dhe unë të jap këshilla)

Sekretet e sfidës së dietës 10-ditore (u bëra dhe unë

Nuk më kishte shkuar mendja ndonjëherë të bëja shkrim të tillë, ku të ndaja “sekrete” të të mbajturit në formë. E para, sepse unë nuk besoj tek dietat dhe e di që ajo çfarë është e mirë për një organizëm nuk është dhe për tjetrin. E dyta, sepse deri më sot nuk kam pasur asnjë sekret, të gjithë që më njohin dhe së fundmi ata që më ndjekin në Instagram dhe që lexojnë blogun rozmarina.al, ku unë jam bashkëautore, e dinë se sa shumë e dashuroj ushqimin në përgjithësi dhe ëmbëlsirat me gjalpë në veçanti. Dhe e treta dhe më e rëndësishmja, kur vjen puna tek “sekretet” e mbajtjes së formës unë preferoj të dëgjoj ekspertët, mjekët, nutricionistët dhe jo atë gocën që del në televizor (në këtë rast kjo goca jam unë). Por ja që paska një herë të parë dhe arsyeja është shumë e thjeshtë si përfundova që sot të jem kjo goca: pas publikimit të vendimit për të marrë pjesë në sfidën dhjetëditore të të ushqyerit pa karbohidrate dhe sheqerna dhe pranimit të ftesës së Rudina Magjistarit për të folur mbi ekperiencën time krejtësisht personale me këtë regjim ushqimor, nuk ia dal dot t’u kthej përgjigje tek e tek të gjithë atyre që më pyesin në inbox. Dhe meqë ajo që di të bëj më mirë se çdo gjë në jetë është të shkruaj, po u kthej të gjithëve përgjigje me një artikull, ku po mundohem të rreshtoj gjithë ç‘po bëj unë në këtë regjim ushqimor. Domethënë, gjithë gjërat që kam lexuar, kam pyetur nutriciniste por dhe persona që e kanë bërë këtë dietë. Meqenëse nga sa më kanë shkruar në inbox, shumë gra e vajza kanë zgjedhur t’i bashkohen kësaj sfide të lançuar në Instagram nga Jennifer Lopez, le të provojmë pra për dhjetë ditë të heqim dorë nga kënaqësia e një pjate makarona apo një ëmbëlsire të mirë. Le të heqim dorë realisht nga buka e përditshme dhe të kalitim vullnetin që gjërat e mira të mos i prekim me dorë sa herë që i shohim.

Bukën e përditshme hiqna sot!

Kjo më dukej pjesa më e vështirë, kur dëgjova për këtë program: të hiqja dorë nga buka. Por pas dy ditëve, zbuloj që është më e thjeshta. Arrij të ngopem dhe e shoh që realisht nuk kam nevojë për bukë. Po të mos ishte nepsi, për shembull që në vajin e ullirit të sallatës së mbrëmshme të ngjyeja një koriçkë buke të ngrohtë Altamura, nuk do të kisha asnjë lloj problemi. Kurse me sheqerin është pak më e vështirë, edhe pse kafen mund ta pij kollaj me qumësht dhe pa sheqer, mungesën e tij e ndjej gjatë gjithë ditës. Thonë që sheqeri krijon vartësi. Ndaj heqja dorë prej tij në rastin tim është shumë e vëshirë. Ata që nuk hanë ëmbëlsira në përgjithësi, këtë dietë besoj se e kanë më të thjeshtë.

Nga çfarë heqim dorë

Për dhjetë ditë nuk duhet të hamë pra brumëra dhe sheqerna, kështu përkthehet sfida #nocarbs #nosugar.  Në vija të trasha, jo më bukë, makarona, oriz, drithëra dhe asnjë ëmbëlsirë. Kafja dhe çaji mund të pihen me qumësht.  Sigurisht asnjë ëmbëlsirë. Pastaj duhet të shmangen dhe të tjera ushqime me këta përbërës: patatet, karrotat, domatet, patëllxhanet, bizelet, të gjitha frutat me përjashtim të boronicave, luleshtrydheve, manaferrave.

Ama kemi gjalpë dhe djathë

Po të hiqej djathi, unë nuk do ta kisha bërë kurrë këtë dietë. Por ja që ai lejohet, madje dhe djathërat me shumë yndyrë, lejohen edhe të skuqur madje. Deri diku kjo dieta më pëlqen. Nesër mëngjes për shembull do skuq vezë, djathë, pançetë dhe nuk do ta ndjej mungesën e bukës. Një mëngjes i shijshëm mund të jetë dhe me vezë të zier, avokado dhe djathë ose gjizë. Çdo gjë mund të shoqërohet me fara susami, fara luledielli, fara chia e liri…

Avokadoja është një burim i mirë energjie dhe i këshillueshëm në të gjitha vaktet (sepse ky regjim ushqimor bazohet tek yndyrnat e mira, që duhet të jenë me shumicë) bashkë me të gjithë perimet e gjelbra të kësaj stine, spinaqi, qepët e njoma e preshin, kungulleshkat, gjithë llojet e lakrave, brokoli dhe lulelakra, kërpudhat. Mund t’i hamë të pjekura, të ziera, të skuqura, t’i bëjmë qofte, t’i hamë si pjatë kryesore apo si shoqëruese të mishit, peshkut, frutave të detit apo salçiçeve, që janë mëse të lejuara në këtë dietë. Ka me dhjetëra variante gatimi të tyre, kombinime të ndryshme, për t’u ushqyer pa u mërzitur disa muaj dhe jo më vetëm dhjetë ditë. Qumështi dhe kosi gjithashtu janë ushqime të këshilluara, kosit mund t’i shtojmë dhe disa kokrra boronica dhe arra.

Quhet dieta që të rinon

Fillimisht lexova që dietologët nuk e përkrahin një regjim të tillë: këmbëngulin në vaktet e ekuilibruara me të gjithë ushyesit. Dhe kanë të drejtë, kjo duhet të jetë në stil jete. Por ky regjim ushqimor i veçantë nuk është stil jete, bëhet vetëm disa ditë (në këtë rast dhjetë) dhe mund ta përsërisësh disa herë gjatë vitit. Madje është shumë i këshilluar për ata që vuajnë nga diabeti, përdoret në pacientë që janë duke luftuar tumorin, kurse ne të tjerëve na ndihmon edhe në rritjen e imunitetit. Quhet dieta që të rinon, ndaj dhe duam ta bëjmë të gjithë.

Sa kilogramë do biem?

Këtë nuk e di. Dhe të them të drejtën nuk e kam për qëllim. Në videon ku shpallte sfidën Jennifer Lopez dhe partneri i saj këmbëngulnin për këtë regjim ushqimor dhe stërvitje. Dhe meqë dhe unë stërvitem rregullisht, domethënë çdo ditë, mendova që kjo bënte për mua. Qëllimi kryesor është heqja e disa zonave dhjamore dhe shndërrimi i tyre në muskul dhe sigurisht që do ketë ende punë edhe pas dhjetë ditëve (kam pesëmbëdhjetë vjet që shkoj në palestër dhe e di që fiziku i duhur nuk ndërtohet kaq shpejt). Por ndërkohë do kem kalitur vullnetin dhe sidomos do kem mësuar të vë nën kontroll dëshirat për të ngrënë gjithë gjërat që dua sa herë të dua (vetëm për festat e fundvitit rrafshova dy tepsi me bakllava). Duke hequr dorë fare, do mësoj të çmoj kënaqësitë e vogla të ëmbëlsirave me masë dhe disiplinë për të shkuar tek ajo që këshillojnë dietologët: vakte të rregullta, porcione të vogla, me të gjithë përbërësit të ekuilibruar.

Recetat? Te rozmarina

Gjithë ata që më ndjekin për ëmbëlsirat, këto ditë do të duhet ta bëjnë pushim ose të gatuajnë recetat në arkivë. Të interesuarit për dietën, këto ditë do të kenë shumë receta “të shëndetshme”. Ose më mirë të themi të përshtatshme me regjimin dhjetëditor ushqimor. Në fund të dhjetë ditëve, pasi të kemi arritur objektivat, do kemi një shpërblim: një pjatë të mirë makarona dhe një ëmbëlsirë me mjaltë ose çokollatë. Ndonjë sugjerim?