Replikë me Mira Kazhanin: Unë jam Blerta dhe ja ç’mendoj për çështjen e shpronësimeve
Sot në mëngjes po lexoja shkrimin e gazetares, Mira Kazhani, "Tirana, si vajza që duan të gjithë" dhe për shumë gjëra të thëna aty brenda ajo kishte shumë të drejtë. Ndërtimet pa leje në Tiranë ishin një dalldi kolektive, çështja e pronave dhe pronarëve është gjithashtu një lëmsh që as u zgjidh e as nuk do zgjidhet ndonjëherë. Por, në këtë mes, gjërat nuk janë të ndara me thikë, i miri (pronari) dhe i keqi ( ai që ndërtoi pa leje).
Bazuar në ligjin Nr 7652 date 29.04.1992, në Shqipëri u realizua privatizimi i banesa shtetërore për të krijuar tregun e lirë të banesave private të ndërtuara gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Kujtojmë që këto banesa u privatizuan me një vlerë shumë të ulët dhe në ditët e sotme çmimi i shitjes së tyre në Tiranë varion nga 50 mijë - 100 mijë euro ( në varësi të afërsisë me qendrën e Tiranës), e drejtë është kjo?
Po familjet e pastreha që nga regjimi komunist ç’duhet të bënin? Të prisnin 2018 që t’u jepte lali Eri leje ndërtimi? Prindërit e mi të cilët që kur vendosën të krijonin familjen e tyre e deri më tani që janë bërë gjyshër, rezultojnë të pastrehë. Në vitin 1994 vendosën të blinin një copë truall në Tiranë tek një person i cili e kish përfituar këtë tokë nga ligji 7501, tokë shtetërore ( me saktë një mal i madh me mbeturina hekuri) dhe aty ndërtuan 1 dhomë e 1 kuzhinë për të futur kokën bashkë me 3 fëmijet e tyre. Ishin të paret në vitin 2006 që trokitën në zyrat e ALUIZNI-it për ta legalizuar ndërtesën e tyre minimaliste për një familje me 5 pjesëtar. Por edhe sot e kësaj dite shtëpia është ende e palegalizuar dhe mamaja ime nuk pranon as të ndërrojë mbulesat e divaneve të blera në 1998 sepse e ka kapur paniku që një ditë shtëpia mund t’i shembet sepse para shtetit ajo vazhdon të jetë ende një ndërtesë e paligjshme. E drejtë është kjo?
Po në rastet kur personat i legalizojnë ndërtesat e tyre dhe të nesërmen i japin për ndërtim pallatesh dhe papritur bëhen edhe pronare hyrjesh e dyqanesh. Ka edhe nga ata që i kanë futur edhe një shtesë hyrjeve që privatizuan sepse nuk kishin shume m2 në dispozicion, madje këta kanë edhe një procedurë të përshpejtuar prej 30 ditësh për legalizimin e tyre, edhe kjo e drejtë është?
Shteti duhet të mbledhë edhe taksa për ato ndertimet 4,5,6, 7 dhe 8 katëshe të legalizuara që një kat e kanë për banesë e të tjerat për qera.
Letrat kur hapen, duhet të hapen për të gjithë njësoj, jo njëri i nënës, e tjetri i njerkës. Problemi duhet trajtuar që në gjenezë. Çështja e pronave në Shqipëri shikohet nga shumë kënde, por asnjëherë nga këndi i hapjes së dokumenteve të atyre që përfituan nga pronat shtetërore ( të cilat ishin dhe janë të të gjithëve) edhe të atyre që dolën ne qiell të hapur atëhere edhe sot.
Fatura e privatizimit atëherë duhet të ishte më e lartë, siç duhet të jetë më e lartë fatura e legalizimit sot, në mënyrë që shteti të ketë mundësi të dëmshpërblejë, jo të japë lëmoshë.
Prishja e shtëpisë dhe nxjerrja në qiell të pastër, është një akt makabër, është shkelje e të drejtave të njeriut ( Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut Neni 25 dhe Nenin 1 të protokollit 1 shtesë Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ) e për këtë janë të gjithë fajtorë, sepse nuk i përveshën kurrë mëngët të bënin një skemë të pastër për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi madhor.
E di, prindërit e mi bënë gabim që ndërtuan në mënyrë të paligjshme, por ama e kanë një super justifikim sepse na strehuan ne. Ndërtimi i vilave e mega pallateve nëpër bregdet, dhe jo vetëm, është gjithashtu një gabim sepse janë ndërtuar në bregdetin e të gjithëve.
Por a mund të vihet shenjë barazimi tek këto dy gabime..?!
Shumë vila apo edhe ndërtesa biznesesh të ndërtuara nëpër Tiranë në tokë shtetërore ( lulishte, oborre konviktesh etj) rezultojnë të legalizuara, po kjo a është edhe kjo e drejtë ?
Procesi i legalizimit nuk duhet të ishte selektiv ose kualifikimi duhet të bëhej i qartë që në momentin që qytetari dorëzonte dokumentet për legalizimin e ndërtesës (sidomos në rastin e projekteve madhore që ekzistuakan që në kohën e Adil Çarçanit). Shteti kurrsesi nuk duhet të luante apo luaj cic -mic me qytetarët e tij.
http://www.tiranapost.al/tirana-si-vajza-qe-e-duan-te-gjithe/