• Shqip
  • English
  • E martë, 10 Dhjetor 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Kontribues Të gjitha

    Pse nuk e fitoi simpatinë e njerëzve Astiri dhe gruaja që sot na e bëri më të lehtë “arrogancën” tonë


    Para disa kohësh, Blerta, një vajzë e mirë, e shkolluar për ligj (që kishte prindërit tek Astiri), më dërgoi një mesazh të gjatë në inbox-in e Tiranapost. Shënimin e Blertës e postova në faqe si ana tjetër e medaljes.

    Ishte një replikë me “25 rreshtat”, ku unë isha vendosur në mbrojtje të shumicës, që nuk kish zaptuar prona publike, që s’kish ngulur flamurin si Ertugrul, përfshi edhe banorët e Astirit.

    Ata që kishin guxuar në vitet ’90 e më tej, që ishin shqiptarë si pjesa tjetër, me pak a shumë të njëjtën varfëri, krizë besimi, frikë e të pashpresë, kishin rrezikuar, siç thoshte Blerta, duke zgjedhur këtë rrugë. Kjo nuk i bën ata njerëz të këqij, as qytetarë të padenjë, por as heronj dhe këtu ndaheshim me replikuesen, sepse nuk mund të fyenim ata që ndoqën rrugët e ligjshme. Prandaj, çdo lloj astirizimi nuk do inkurajuar dhe kush e bën i keqpërdor për interesa të tjera.

    Përtej faktit të madh se në këtë rrugë u njohëm më shumë sesa me hallexhinj, me biznese e tregtarë pafund, që kishin fituar në gjithë këto vite jetën.

    Kuptohet, dhimbja është e madhe për dikë që nuk do të vazhdojë të fitojë më aq shumë dhe se duhet të rishpikë veten brenda sistemit dhe jo jashtë tij. Si gazetare, nuk vajtova kurrë për Astirin, sepse do të ishte ofendim dhe poshtërim për modelin e mijëra të tjerëve, që nuk qenë kaq ‘të zotë’ dhe ecën sipas rregullave, jo se ka pasur e kemi shumë por aq sa janë, janë meritë e njerëzve të hajrit dhe jo qeverive.

    Astiri ishte një protestë që nuk gjeti mbështetje në masë, siç ishin studentët vitin e shkuar. Në kauzë dhe në formë dështoi duke ngjallur antipati tek qytetarët e tjerë. Një fotografi e Shqipërisë 30-vjeçare të keqpërdorur.

    Dhe që dhe pas gruas që mallkoi para mikrofonave dëmshpërblimin 130-milionësh për shtëpinë e saj, duke e quajtur tallje, ka shumë që do duan të gjejnë dikë të tallet me këtë vlerë. Shumë shqiptarë që i kanë blerë shtëpitë me borxhe, me kredi, që nuk e kanë ndezur kondicionerin në ditët e ftohta, për të kursyer, që nuk kanë mundur të blejnë ç’kanë dëshiruar e të plotësojnë ëndrra, për shkak të çmimit me të cilin duhet të siguronin një shtëpi.

    Mjaftoi një deklaratë e sinqertë e gruas së Astirit që të zbehte edhe rëndësinë e sakrificave të prindërve si të Blertës. Ndaj bindjen se njerëz e prindër të tillë janë në shumicë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe tek Astiri.

    *Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post