• Shqip
  • English
  • E martë, 15 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Opinion Sa nje kafe nga Iva Të gjitha

    Kjo do jetë një verë allasojçe


    Nga Iva Tiço/ “Mos hap gojën dhe mos guxo të ankohesh për vapën”, – i them shoqes sime, që ka dy ditë dhe bën uf-puf. “E ke parasysh sa jemi ankuar këto kohë për shiun? Le të shtrëngojmë dhëmbët dhe të durojmë tani!”.

    Zyrtarisht vera erdhi brenda ditës dhe ndonëse mezi e kishim pritur, na gjeti kështu si të përgatitur ndërsa nxjerrim me vrap rrobat e banjës nga aty ku i kemi fshehur andej nga fillimi i tetorit të shkuar, blejmë ndonjë gjë të re dhe shtyjmë për fundjavën tjetër çuarjen e xhaketave në pastrimin kimik dhe gjetjen e një vendi për trikon e madhe të leshit a ndonjë shalli të varur ende në korridor.

    Trafiku i të dielës na tregon se në tre muajt e ardhshëm këtë do kemi refren. “Kape trafik rrugës? Në çfarë ore u nise?”. Të gjithë po bëjnë planet se si javën tjetër të nisen shumë më herët. Ose shumë më vonë. Ndaj do shihemi të gjithë në të njëjtin trafik, në një tjetër orë.

    Në Qerret, në një ecje nga një lokal në tjetrin, në këmbë, zbulon se kasata “Bllaca”, më e famshmja dhe më e mira shqiptare, ose mungon fare ose ka mbaruar qyshkur. Alternativa janë akulloret e ngrira-shkrira të importit, që pasi ke kaluar nëntë muajt e fundit duke u kujdesur të hash shëndetshëm, duke numëruar kaloritë, karbohidratet sheqernat apo duke shmangur çdo ushqim të përpunuar, më në fund të tundojnë të dorëzohesh e të thuash “në djall”! Këtu e kupton që në verë do jesh tjetër njeri, sepse sado të duash të vijosh me të njëjtin ritëm ushqyerje, në Shqipëri ka nisur ai që quhet sezon turistik, gjatë të cilit bën mirë të mësohesh të dëgjosh gjithmonë e më shumë nga kamerierët ose shitësit fjalët “nuk ka”, “ka mbaruar”, “vetëm këtë kemi”, “bëni si të doni”.

    Flamingot dolën në Instagram. Jo me atë ngjyrën rozë që na ka mbirë në sy së paku tre verat e fundit, por me pozën e tyre elegante, që këtë vit po kopjohet fillimisht nga VIP-at e më tej nga gjithë të vdekshmet e thjeshta. Pra, bëhuni gati goca, thithni barkun, përthyeni këmbën sikur të jeni flamingo, shkrepeni dhe postojeni foton!

    Flamingot dolën, faturat akoma. Në javën e parë, nga qejfi i rrezeve të para, çmimet nuk bëjnë përshtypje. Nga java tjetër, kësmet, do nisin dhe ankimet.
    Turistët janë me turma në Tiranë. Vijnë vërdallë me aparatet në dorë, shohin ç‘të fotografojnë. Ndjehem si në faj që qyteti im nuk u ofron ndonjë gjë kushedi se çfarë për fotografi. Asnjë nuk ështe entuziast, siç jam unë kur shkoj në qytetet evropiane. Por restorantet plot, sidomos të peshkut. I shoh në fytyrë. Duken të kënaqur me ushqimim. Ngjajnë të lumtur kur paguajnë. Këtu ndihem më e lehtësuar, gati t’u them faleminderit, gati-gati sikur të më kenë komplimentuar gatimet e mia.

    Të tjerë turistë, lexoj sot nëpër portale, kanë anuluar udhëtimin në Shqipëri. S’do mend! Edhe unë kur pashë mbrëmë kronikën e Rai-t, mbushur me fjalët “kaos”, “situatë alarmante”, “rrëmujë” dhe me pamje tymuesesh, shpërthimesh, dhunë mbi hekurndarëse, nuk do doja të isha në Tiranë, paçka se banoj vetëm 300 metra larg vendit “të trazirave” dhe bash në orën kur kanë ndodhur këto “gjëma” që shfaqen në Rai, isha aty afër, duke pirë birrë në ajër të pastër, pa marrë vesh ç’po bënte vaki… Ajo Tirana e lajmeve në televizor duket e frikshme. Kjo e jona, e pasditeve tona, është kaq e bukur!

    Dhe pastaj janë lajmet. Fushatë elektorale për disa. Thirrje për revolucion e protesta për të tjerë. Zgjedhjet janë më 30 qershor. Por edhe janë anulluar. Por do bëhen. Presidentin do ta shkarkojnë. Ose ai do të shpërndajë parlamentin. Do bëhet në fund një kompromis politik dhe të gjithë do dalin të fituar. Ose do bëhet revolucioni, lufta civile a ku di unë se çfarë.

    Në agjensitë turistike, në ato ku shumë shqiptarë prenotojnë pushimet e tyre vjetore, nuk janë të rralla shprehjet “nuk e di akoma në çfarë date na duhet paketa. Varet si shkojnë zgjedhjet. Pastaj do na i japin lejet…”.

    Edhe më indiferenti në këtë vend e ka jetën të lidhur me këto të shkreta zgjedhje. Edhe shitësja e lagjes sot paradite, që më shpjegon arsyen e mungesës së bamjeve në dyqanin e saj modest: “Janë të shtrenjta akoma dhe nuk i merrja dot se mos më prishen. Nuk harxhon lekë njeri tani goce, s’i dihet si do shkojë dhe kjo puna e protestave”.

    Ndërkohë Mërkuri ka kaluar tek Gaforrja. Në vija të trasha do jemi të gjithë paska si Gaforret, më të shqetësuar, më melankolikë.
    Dhe është vetëm java e parë e verës… Mezi e kishim pritur dhe sa ishim qarë!

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690