Video/ Publikohet për herë të parë, video e rrallë nga sulmi terrorist i 11 shtatorit
Operatori i “CBS News”, Mark LaGanga ka publikuar pamjet e rralla të xhiruara vetëm pak çaste sapo njëri nga avionët ishte përplasur me një nga kullat binjake në Nju Jork më 11 shtator të vitit 2001.
Ndërkohë që i afrohemi 17-vjetorit të atentateve terroriste të “Al Kaedës” në Nju Jork e Uashington, LaGanga rikthen në vëmendje videon e tij duke e publikuar në Youtube, aty ku brenda një kohe tejet të shkurtër u pa nga mbi dy milionë persona.
Një filmim i bazuar mbi foto që duken të njohura për ne, por që në pjesën më të madhe janë të papublikuara më parë. Në pothuajse 30 minuta realiteti të paprekur, të pamodifikuar, LaGanga tregon qartësisht heroizmin e zjarrfikësve dhe punonjësve të tjerë të shpëtimit.
“U shemb gjithçka poshtë, një ferr”, tregojnë personat e parë që mundi të takonte operatori në momentet e para pas shembjes së kullës së parë.
Aty shfaqen policë, zjarrfikës, njerëz të mbrojtjes civile të mbuluar nga hiri që i bën të marrin frymë me vështirësi, e jo më të flasin.