Të vërtetat e thjeshta

Supa "me çorape" të bën mirë!

Supa "me çorape" të bën mirë!

Sa herë mami donte ta bindte vogëlushin e saj që duhet të lante këmbët para gjumit, fillonte ta bënte për të qeshur duke thënë:

"Çorapet e tua mbajnë era lakër...gishtat e këmbëve duken si brokoli, ç'janë këto thembra kështu si patate?!"

E pastaj, kur vogëlushi në kopësht gjeti para vetes një supë me këto perime, thjesht refuzoi ta hante. A hahej një supë " me çorape?

Kështu pra edhe njëherë, edhe në këtë rast: prindërim do të thotë t'ia vësh mendjen gjërave që thua e që bën, e mbi të gjitha të kuptosh që shembulli ynë iu flet fëmijëve më shumë se 1000 fjalë.

Nuk besoj se e teproj duke përmendur shkurt se sa e rëndësishme është ngrënia e perimeve që në moshë të hershme. Larmia a vitaminave e fibrave që ato kanë, varfëria në yndyrna dhe sasia e lartë e mineraleve pasurojnë shëndetin e imunitetin te fëmijët, ndihmojnë rritjen e tyre. Krijimi i zakoneve të shëndetshme në ushqim është një sjellje e mirë që ndihmon në mirëqenien e trupit të njeriut gjatë gjithë jetës.

E di që t'i mësojmë fëmijët të ushqehen me perime nuk është shumë e thjeshtë. Mes dhjetra prodhimeve të gatshme që fëmijët i shohin në çdo dyqan e cep rruge (ndonjëherë edhe brenda në kënde lojrash apo ngjitur me oborret e shkollave e kopshteve), por edhe reklamave të shumta për to në çdo media e "përtesës" për të gatuar vetë perime që " duan aq kohë për tu larë e prerë"...nuk duket fare e thjeshtë .

Ama është e domosdoshme. Së pari duhet të japim shembullin tonë. S'mund të hamë vetë pizza psh e të presim që fëmijët të ulen me qejf para supës me asparag.

Një veprimtari simpatike ( bën pak lëmsh në kuzhinë, por ndihmon në marrdhënien e fëmijës me prindin, nxit aftësitë e tij dhe e largon nga ekranet) është t'i bëjmë fëmijët protagonistë në kuzhinë e perimet pjesë të lojës. Të lejojmë fëmijët t'i zgjedhin vetë, t'i presin, t'i gatuajnë.

Fatmirësisht tashmë edhe në shqip ka libra që e nxisin këtë gjë. "Dordolëngu" nga Rudina Çupi apo "Rozi dhe Domatja Kërcimtare" me autore Dhurata Thanasin dhe Rovena Rrozhanin, janë materiale shumë simpatike për t'u lexuar e praktikuar me fëmijët.

Sigurisht disa perime janë më lehtësisht të pranueshme si shije, e mirë është që pikërisht me to të filloni provat si kuzhinierë me fëmijët tuaj.

Kombinimi i tyre me ushqimet e preferuara të fëmijëve mund ta lehtësojë procesin. Këshilla të detajuara ushqimi e recetash padiskutim mund të gjejmë lehtësisht duke u konsultuar me specialistë të mirfilltë të fushës. Ajo që dua unë të tregoj nga përvoja jonë është " marrëzia e kafshatës së parë"😁

Sepse sado të përpiqemi, jo gjithmonë fëmijët do e pranojnë çdo shije ( unë vetë ende nuk e ha me qejf lakrën e Brukselit psh🙈).

Por ne krijuam këtë metodën e marrëzisë ( marria themi në fakt në shtëpi meqë flasim gegë😄).

Kjo do të thotë që asgjë nuk të pëlqen që me provën e parë, por nuk mund ta lëmë me kaq. Ndoshta kafshata e parë nuk na shijon, por ushqimit ( si edhe vetes në çdo gjë që bëjmë) duhet t'i japim edhe mundësi të tjera. Kështu që nga një copë te tjetra, nga njëri vakt te tjetri, do t'i japim hapësirë perimeve të na tregojnë sa të mira janë, sa të shëndetshme e mbase ngadalë edhe t'i duam shumë e t'i zgjedhim vetë.

Edhe një gjë, (këtë nuk e dinë as vajzat e mia që jua bëj me dashje).

Teksa bëj gati vaktet..sa e përgatis ushqimin apo bëj sikur do edhe pak kohë, vë gjithmonë të parat perimet në tavolinë..një pjatë me karrota, kastraveca, ullinj, sallatë, kunguj të pjekur, domate, copa brokoli...e nga uria ato fillojnë të hanë prej tyre sa të " bëhen gati" makaronat psh 😀.

E kështu...kaq shumë gjëra për të menduar e bërë...edhe për t'ia treguar njëri-tjetrit në rrugëtimin tonë si prindër. Deri të shtunën tjetër...ju bëftë mirë!