Sociologjia e muzikës! Volumi 2, Alis

Kur Alisi publikoi këngën “Nân”, të krijuar prej tij, Desarës dhe Erjetit, mbaj mend t’i kem nisur një mesazh që thoshte pak a shumë kështu: “Nuk arrij ta besoj sesi tre të rinj si ju kanë krijuar një këngë të tillë!”
Shpeshherë, ne të rriturit gabojmë. Mendojmë se për të shprehur ndjenjat e mëdha, emocionet e forta e për t’i kthyer ato në art, duhet të jesh në moshë të pjekur, të kesh krijuar përvoja, të kesh vuajtur…Këtë kam përshtypjen se bëmë edhe në këtë rast shumë prej nesh. E kam ndjekur me vëmendje debatin online për këtë këngë. Me thënë të drejtën, më shumë sesa debat për Alisin, më është dukur si pasqyrim i simptomave që kalon shoqëria jonë: a duam ne të shkojmë në Europë e të përfaqësohemi si vetja, apo “boll më me dhimbje e lot”, duhet të ndryshojmë pak mënyrën se si paraqitemi e të përshtatemi në diçka më catchy, më për TikTok?
Kënga u akuzua edhe si krijim me inteligjencë artificiale. Sigurisht, askush nuk dha prova për këtë; thjesht aluduam se një këngë e tillë “perfekte” nuk mund të krijohej nga njerëzit… dhe, ironikisht, këtë mendim e thamë për një nga këngët më emocionale, me të cilat përfaqësohemi këto vitet e fundit në Eurovizion.
Komentet kaluan nga shkodranët “fanatikë”, që mbrojnë pa doreza çdo gjë që krijohet nga një shkodran, deri te ata që thanë se ka më shumë dramë sesa duhet… e është krejt gabim që të vijojmë me këto krijime.
Pastaj Alisi zgjodhi, nuk e di a ishte krejt e qëllimshme, a e vetmja mënyrë që i erdhi e natyrshme, që këngën e tij ta komunikonte me mënyrën që ai di të bëjë më mirë, duke e kënduar live. E bëri atë edhe një version për piano, e këndoi në trotuare e skena nga Himara në Londër, e kudo përsëriti të njëjtën histori. Imagjinoj se Mira, nëna e tij, duhet t’i ketë marrë emocionet e një jete në këto muaj 😊 Kudo komentet pozitive vërshuan, zëri i Alisit dhe njerëzillëku i tij i çarmatosi një pjesë të mirë të kritikuesve.Tani që kënga është në finale, kam parë që edhe kundërshtarët më të mëdhenj po e urojnë Alisin për këtë arritje.
Kjo sa për të dhënë pak kontekst. Tani dua të kaloj te mendimet e mia se çfarë na mësoi sociologjia e muzikës në këtë rast.
Çka unë kam vënë re gjatë gjithë kësaj kohe është se kjo këngë pëlqehet shumë nga të rinjtë. E pra, kjo na fton të mendojmë se brezi Z është i tillë: emocionet që ka nuk heziton t’i fshehë. Një djalë 23-vjeçar nuk ka frikë se duket më pak i fortë nëse shpreh mallin për nënën e vet. Madje, shumë studime mbi brezin Z tregojnë se kjo gjeneratë është më e hapur në shprehjen e emocioneve dhe më pak e lidhur me modelet tradicionale të maskulinitetit emocional, krahasuar me brezat paraardhës. Të rinjtë kanë nevojë të shprehin emocionet e tyre, t’u japin zë, t’i performojnë. E të gjejnë veten në një temë kaq universale sa është malli për nënën, madje ta këndojnë fort për të.Për ne të rriturit ka një kambanë që bie këtu: fëmijët tanë duan të shprehen; le t’i lëmë, pa i paragjykuar, edhe nëse kjo, për çudinë tonë të madhe, mund të tingëllojë “patetike”. Ndoshta fëmijëve tanë u erdhi në majë të hundës me modelet që ua tejmbushëm mendjen mediat. Ndoshta ata duan të ndërtojnë modelet e tyre të reja, ku të emocionohesh e ta shprehësh nuk është turp.
E dyta, kënga e krijuar në gegnisht duket se e mundëson më mirë shprehjen e epikës së vet. Të rinjtë tanë nuk po hezitojnë të flasin publikisht e të krijojnë në dialektet që flasin. Ne të rriturit duhet ta kuptojmë që kjo është subkulturë që veç e pasuron vetëdijen e shprehjen tonë, ndaj duhet ta mbështesim e, mundësisht, edhe ta duartrokasim guximin e të rinjve për të shprehur veten ashtu siç janë.
E treta, e këtu do t’u kthehem mendimeve të shprehura një javë më parë në volumin 1, një artist mundet që, me supertalentin e tij, të krijojë atë që do, pa qëllimin për t’u bërë viral, e prapë të marrë turmat me vete. E kjo është gjëja më e mirë që muzika mund të bëjë: teksa argëton, të guxojë të krijojë një ndjesi përkatësie. Ndoshta nuk është rastësi që sociologë të muzikës si Simon Frith e kanë parë muzikën si një mënyrë për të ndërtuar identitet e për t’i dhënë zë emocioneve që një brez ndien bashkë. Dhe mbase kjo është pikërisht ajo që ndodhi me “Nân”.
I kritikuam boll të rinjtë se janë kopje të njëri-tjetrit, se s’kanë më vlera e emocione, se jetojnë për t’u dukur… e tani, a mund t’i lëmë të shprehen si duan, apo t’i kritikojmë është qëllimi ynë në vetvete?!
Shumë urime për sonte Alis! Kënaqu për vete, për bashkëpunëtorët e tu e uroj shumë që ky të jetë veç fillimi i rrugës së një artisti që të qenit autentik e ka mënyrë të shprehuri, me çdo kusht!