Të vërtetat e thjeshta

Sociologjia e muzikës! Volumi 1, Alban Skënderaj

Sociologjia e muzikës! Volumi 1, Alban Skënderaj

A e keni dëgjuar albumin e ri të Alban Skenderaj, “Rrënjët”? Unë po. Kam gjithmonë kureshtjen e muzikës së re që prodhohet, aq më shumë kur në titull apo edhe në përshkrimet e vetë autorit, këngët e tij nuk kërkojnë vetëm të dëgjohen, por edhe të kujtojnë. Artistët shqiptarë që jetojnë brenda Shqipërisë nuk e bëjnë shpesh këtë. Unë nuk jam specialiste e muzikës, por arrij të dalloj nostalgjinë nganjëherë boshe dhe “kaçurelat” e klarinetës që tentojnë të përdhosin muzikën shqiptare, me synimin e vetëm rritjen e numrit të njerëzve që e dëgjojnë dhe, për pasojë, të fitimit. Ndaj m'u duk se artisti Skenderaj këtë herë po tentonte të kthehej te identiteti, ndaj mori vëmendjen time të plotë.

Në sociologji, një fushë e tërë studimi që quhet Sociology of Music analizon marrëdhënien mes muzikës dhe shoqërisë, si ndikojnë faktorët socialë, kulturorë dhe ekonomikë në muzikën që krijohet dhe në mënyrën si ajo konsumohet nga publiku. Sipas këtij këndvështrimi, muzika nuk është thjesht argëtim, por edhe mekanizëm që formëson identitete, kujtesë kolektive dhe mënyrën si një shoqëri e sheh veten. Filozofi dhe sociologu Theodor W. Adorno argumentonte se industria kulturore moderne tenton ta standardizojë muzikën, duke e kthyer atë në produkt të shpejtë konsumimi dhe jo në përvojë reflektimi.

Mirëpo, përvoja botërore njeh mjaft raste, të njohura edhe për publikun shqiptar, të një transformimi interesant: kalimi nga figura komerciale në figura mentoruese. Në fillim artisti kërkon famë, vëmendje dhe treg, por me kalimin e kohës, shumë prej tyre kuptojnë se klikimet harrohen shpejt, ndërsa ndikimi kulturor mbetet. Pikërisht në këtë fazë, artisti largohet gradualisht nga nevoja për të qenë vetëm “trend” dhe fillon të kërkojë kuptim, trashëgimi dhe rol edukues. Ai nuk është më thjesht influencues që ndikon te mënyra si vishet apo argëtohet publiku, por figurë që ndikon te mënyra si mendon dhe ndjen një brez.

Ndoshta kjo është arsyeja pse “Rrënjët” më tingëlloi ndryshe. Albumi nuk ndërtohet mbi formulën e zakonshme të hitit viral. Ai mbështetet në motive tradicionale shqiptare, në frymën e muzikës vendase të sjellë në kohë moderne, pa e humbur identitetin. Këngët kanë tekste të thjeshta, por flasin për gjëra që sot duken pothuajse revolucionare: dashurinë pa cinizëm, besimin, mallin, vlerën e njeriut përtej parasë dhe suksesit të ekspozuar.

Unë shkova pak më tej dhe nuk është e vështirë të shihet se albumi i ri, edhe pse i suksesshëm, s’po arrin menjëherë klikimet masive që kanë pasur disa prej bashkëpunimeve të tij më komerciale apo këngët e ndërtuara mbi formulën e tregut viral. Sociologjikisht, kjo nuk është e rëndësishme dhe nuk na tregon që ky album nuk do të ketë ndikim; përkundrazi. Prodhimet artistike me mbështetje në elementë kulturorë të tabanit nuk konkurrojnë me muzikën e çastit, as me shpejtësinë e konsumit. Qëllimi i tyre është tjetër. Një artist që vendos të mbështetet në tabanin kulturor nuk ka përparësi të prodhojë trend; ai po kërkon të ndërtojë kujtesë. Projektet me taban kulturor rrallëherë konkurrojnë me muzikën e momentit në shpejtësinë e konsumit; ato konkurrojnë në jetëgjatësi dhe ndikim. Këngët komerciale shpesh prodhojnë trend, ndërsa albumet që mbështeten te identiteti prodhojnë kujtesë. Teksa globalizmi dhe ndërhyrja e inteligjencës artificiale po e bëjnë gjithçka më globale e, fatkeqësisht, shpesh edhe uniforme, të mbështetesh te elementi shqiptar nuk është thjesht një zgjedhje; është një akt që synon të prodhojë kulturë.

Me hipotezën se ky album mund të ndihmojë të rinjtë të kenë një vlerësim për muzikën autentike shqiptare, me kushtet modeste të vëzhgimit që kam në dispozicion, pyeta rreth 20 të rinj për albumin. Ca e kanë dëgjuar, ca jo, sepse nuk i tërhoqi. Disa e pëlqenin shumë. Por pothuajse askush nuk e kishte kuptuar që shumë prej melodive dhe strukturave muzikore mbështeteshin mbi rrënjë të muzikës tradicionale shqiptare. Në rastin më të mirë, ishte thjesht “muzikë e bukur”.

Këtu, në mendimin tim, ka një të vërtetë të trishtuar dhe nuk ka të bëjë me mungesë njohurish muzikore. Të rinjtë tanë po shkëputen çdo ditë e më shumë gradualisht nga kujtesa kulturore. Faji nuk është aspak i tyre. Nëse të rinjtë nuk arrijnë të njohin tingullin e vet kulturor, nuk janë një brez pa identitet, siç ngutemi t’i etiketojmë. Të rinjtë tanë janë një brez që nuk është edukuar ta dëgjojë tingullin e vet. Është e thjeshtë t’i bombardojmë fëmijët me vlera konsumi global e pastaj edhe t’i gjejmë gabim se nuk e duan kulturën shqiptare. Problemi është se askush nuk ua sjell atë në mënyrën e duhur, në gjuhën dhe ritmin e kohës së tyre.

Ndoshta për këtë arsye, teksa Ministria e Arsimit ka nisur zbatimin për programet pas shkolle, duhet të ndërmarrë edhe nisma për ta rimenduar mënyrën si e përdorim muzikën në shkollë. Edukimi nuk ndodh vetëm përmes librave; ndodh edhe përmes tingujve që dëgjon çdo ditë. Muzika mund të jetë ende mjet formimi, jo vetëm konsumimi. Dhe ndoshta kjo është ajo që i mungon më shumë sot një brezi që dëgjon shumë muzikë, por rrallëherë dëgjon veten. Nëse unë do të isha një drejtuese shkolle, çdo ditë në mëngjes do të vendosja muzikë teksa nxënësit bëhen gati për të nisur mësimin, si pjesë të atmosferës së përditshme. E them shpesh, arti mund të na shpëtojë. Muzika ndikon në emocione dhe zbehje të stresit, por jo vetëm kaq. Unë do të vija muzikë shqiptare në mëngjes para nisjes së mësimit, në pushime, në korridore. Mendoj se koha është që t’i lidhim fëmijët me identitetin kulturor. Albumi “Rrënjët” mund të ishte një nisje e mirë.