Të vërtetat e thjeshta

Si t'iu flasim adoleshentëve për seksin

Si t'iu flasim adoleshentëve për seksin

Një javë më pas. Tema mbetet e njëjtë, grupmosha e fëmijëve ndryshon. Sigurisht edhe mënyra si flasim. Si t’iu flasim adoleshentëve për seksin?

Së pari, mirë do të ishte ta kemi nisur këtë diskutim, sigurisht në përshtatje të plotë me moshën, që kur ata janë të vegjël. (Disa këshilla për këtë i gjen këtu…..linku i shkrimit të javës së shkuar)

Por edhe nëse nuk e kemi bërë, ka një çast kur duhet nisur. E përsëris, shkolla s’mund ta bëjë kurrë atë që bën prindi. Kurse në internet gjasat janë shumë të mëdha që informacionet të jenë në mos krejt të gabuara a paragjykuese, të jenë të paktën gjysmake.

Kështu që edhe me mbi 10-12 vjeçarët duhet ta marrim vetë përsipër. Pa rrezikuar të dukemi qesharakë, pa i ftuar me seriozitet e drama të trajtojmë “çështjet delikate”, duke u konsultuar vetë më parë për tema a çështje ku s’ndihemi të sigurtë. E mbi të gjitha si një bisedë mes dy njerëzve që i japin njëri-tjetrit liri e besim.

Mënyra më e mirë për të filluar?

Një bisedë rastësore. Një film që po sheh, një foto..një videoklip kënge, një reklamë për një qendër estetike…një aktor/këngëtar/sportist i preferuar dhe një detaj që e lidh atë me temën që kemi dëshirë/nevojë të trajtojmë. Mund të fillojmë nga nevoja për kujdes më të veçantë për higjenën e ndryshime në trup…qimet, djersa, menstruacionet (edhe për këtë mund të gjeni një shkrim këtu linku i shkrimit “shtëpia e bebit po pastrohet”)…normaliteti i ereksionit dhe meqë jemi në këtë pikë:

Baballarë këtë është mirë ta bëni ju dhe duhet ta bëni. Mos u mjaftoni duke i mësuar djalit të vogël shprehjet gjoja qesharake, por në fakt krejt banale e të papërshtatshme, që i vini t’i përsërisin djemtë tuaj të vegjël në tavolina shokësh me burra të rritur (ideale do ishte mos e bënit fare këtë…po jemi shumë larg ideales)

Ka një fjalë kyç në këtë proces: NORMALITET.

Duhet t’iu themi fëmijëve tanë adoleshentë se është krejt normale që të kenë kureshtje për trupin njerëzor, për veten, për tjetrin.

Duhet t’iu themi se është krejt normale të pëlqejnë dikë, po aq normale të mos pëlqejnë.

Duhet t’iu mësojmë të thonë jo. Të kenë kufijtë e tyre e mos lejojnë askënd e në asnjë rrethanë të shkelen. Të respektojnë gjithashtu kufijtë që tjetra/tjetri vë.

Duhet patjetër të bisedojmë me fëmijët për marrëdhënien e shëndetshme dhe pëlqimin.

Le t’iu tregojmë atyre për presionin e shoqërisë dhe se si duhet të vendosin ngushtësisht me mendjen e zemrën e tyre për çdo vendim.

Duhet ta ndalim bisedën patjetër edhe për ndikimin e rrjeteve sociale. Me pak më shumë siklet mbase, por duhet t’iu tregojmë fëmijëve tanë se sa të pavërteta janë shumë gjëra që shihen online e si duhet të kenë kujdes prej pornografisë.

E di që s’ështe lehtë. E di që shumë nga ne as e mendojnë se duhet ta bëjnë këtë bisedë.

Ka disa madje që marrin përsipër të fyejnë apo tallen edhe me mua këtu në rrjet për “guximin”.

Por unë jam e bindur që kështu duhet vepruar. Të më ndjeni, jam krejt modeste, nuk them se duhet bërë kështu se them unë. Mjafton të kërkoni pak çdo studiues, specialist, mjek, sociolog, psikolog…të gjithë bien në një përgjigje të përbashkët: me fëmijët duhet folur për çdo temë, me përgjegjësi, natyralitet, seriozitet dhe vazhdimësi. Seksi është vetëm njëra prej tyre. Nuk ka një mënyrë më të mirë. E për ju që jeni sërish dyshues…pyesni ChatGPT.(!)