Të vërtetat e thjeshta

Si t'iu flasim fëmijëve për seksin?

Si t'iu flasim fëmijëve për seksin?

E ja ku erdhëm tek pyetja që ka “ulur në gjunjë” breza me radhë prindërish: A t’iu flasim fëmijëve për seksin?

Përgjigjen e kam gati, të padiskutueshme: Po dhe pikë.

Duke qenë se mendoj që ne si prindër jemi tashmë përballë të tjera sfidave edhe për këtë fushë, sugjerimet e mia, të mbështetura padyshim në studime e vëzhgime shkencore, vendosa t’i ndaj në dy shkrime, bazuar në grupmosha, të vegjlit deri 9 vjeç, e më pas për grupmoshën pranë e gjatë pubertetit.

Po filloj pra sot, të parin, me një histori me vajzën time të vogël. Dy a tre vite më parë, po i bëja një kontroll shëndetësor rutinë (po unë i çoj vajzat për kontrolle pa qenë të sëmura, sipas një protokolli që sugjerohet nga specialistë / tjetër temë kjo).Teksa kishte frikë duke bërë ekon abdominale, ime bijë më pak se 5 vjeçe tha me zë të lartë mes lotësh;

-Pse po ma bëni këtë, unë nuk kam bebe te barku!!

Jam habitur e kam qeshur shumë me këtë reagim, pastaj kam filluar të mendoj…mos është ky momenti për t’i treguar si lind një bebe?

Kështu pra, një çast nga jeta, një film që shohim me to, një kushëri i vogël që i shtohet familjes, një teta shtatzënë që shohim në plazh…këto situata reale mund të jenë një shkak i mirë për të nisur një bisedë me fëmijët tanë mbi këto çështje disi delikate. Por para se të vijmë te kjo pikë, mendoj se ka disa rregulla të përgjithshme që duhet t’i kemi parasysh të gjithë pavarësisht moshës së fëmijës:

Në këto kohë të mbushura me mundësi për të marrë informacion (shpesh herë jo domosdoshmërisht të saktë), nuk duhet të presim që fëmijet të na pyesin, duhet ta nisim vetë bisedën.

Se dyti, ju lutem aman, pa drama. Nuk ka gjë më natyrale se trupi i njeriut, le ta trajtojmë me fëmijët si të tillë. Askush nuk është më i përshtatshëm se prindi, për të bërë këto biseda.

Duhet ta respektojmë kureshtjen e fëmijëve e t’i përgjigjemi asaj me seriozitet. Nëse pyesin për diçka që vërtet na vë në siklet, t’iu themi atyre se do të pyesim mjekun / specialistin dhe do t’ia tregojmë më vonë përgjigjen e saktë.

Çdo gjë që themi duhet të jetë në përputhje me moshën, por ju lutem gjithmonë #tëvërtetatëthjeshta.

Duhet t’iu krijojmë besim, se mund të flasin me ne, se mund të jenë te ne, përgjigjet e duhura e më të mirat për ta. Përndryshe do vrapojnë t’i gjejnë në internet, jeni të sigurtë që ashtu është më mirë ?(!)

Nuk mund ta delegojmë këtë bisedë, as te shkolla. Është detyra jonë.

Sot po ndalem pak më gjatë për bisedat me fëmijët e vegjël deri para se të bëjnë 9-10 vjeç.

Studiuesit e konsiderojnë këtë si një moshë ku vendosen bazat e edukimit seksual.

Së pari, duhet t’iu mësojmë fëmijëve emrat e saktë. Shpesh herë në biseda me ta, apo edhe vetë fëmijët tanë, iu drejtohen pjesëve të trupit me fjalë që variojnë nga fantazitë e gjysheve e ngatërrimet e konteksteve, deri tek të sharat më banale të mundshme (meqë ra fjala, e keni vënë re sa shumë shajnë fëmijët, vajza e djem bashkë…temë tjetër edhe kjo)

Nëse koka është kokë, e kështu quhet, pse vagina është lule, pipiruk, pjeshkë, zog…mos i ngatërroni fëmijët më shumë se duhet..kanë boll nga të bëhen lëmsh, jo edhe nga prindërit.

Së dyti, tregojini fëmijëve kufinjtë e privatësisë. Trupi i tyre është veç i tyri. Tezja që ka mall aq shumë, le ta përqafojë a t’i marrë erë pas qafës, nuk ka pse të ngacmojë *bibilushin”. Është verë ndaj më vjen ta them me zë të lartë. Mos i lini lakuriq fëmijët në plazh. Ka zgjidhje e zgjedhje në çdo moshë. Lakuriqësia tek të miturit s’është veç problem infeksionesh e dëmtimesh fizike, së pari vjen privatësia.

E meqë jemi këtu, flisni me fëmijët për “sekretet e këqija” Bindini ata se s’duhet të lejojnë askënd t’i prekë apo t’iu afrohet më shumë se prindi i ka mësuar. E nëse kjo ndodh, kurrë nuk duhet ta mbajnë sekret. Prindërit janë vendi i duhur për të treguar, e më falni për cilësimin e gjinisë, por veçanërisht mami. Te mami është më e lehtë mbase për t'u përballur edhe për këtë.

Pastaj më vonë, mund t’iu tregojmë edhe si lindin bebet. Unë psh iu kam mësuar vajzave të mia që mami e babi e duan aq shumë njëri-tjetrin sa duan të krijojnë bashkë edhe një krijesë kaq të bukur e të dashur sa ç’është një fëmijë, ndaj ajo rritet te barku i mamit e pastaj teta doktoresha ( në rastin tonë, se ju mund të keni xhaxhi doktor psh, po ne teta Elindën e kemi personazh historish 😊) e ndihmon mamin ta nxjerrë nga barku, e babi e mban bebin hopa që mami të çlodhet. Të gjitha këto në fakt ndhmojnë për një edukim më të thellë se ai thjesht seksual.

Gjithmonë thjesht, në përshtatje me moshën, gjithmonë qetë, pa drojë.

Prindërimi nuk vjen me një manual përdorimi, vjen me përgjegjësinë dhe dëshirën për të bërë çdo ditë e më pak gabime me fëmijët tanë.

Flasim prapë të shtunën e ardhshme! Me adoleshentët, gjithçka është pak më e komplikuar, por…

Askush s’mund ta bëjë më mirë se ne!