Një libër në tavolinën e gjumit!

Si fillim, tavolinë gjumi vajza ime e vogël i thotë komodinës pranë shtratit.
Unë jam ndjerë mirë me dëshirën e saj për t'i vënë këtë emër.
E të them të drejtën, edhe më mirë që te tavolina e saj e gjumit, ajo vendos çdo natë gjërat që i duhen më së shumti..librat për të lexuar bashkë.
Është shumë e rëndësishme t'iu lexojmë fëmijëve që fare të vegjël.
Çdo libër është një aventurë përmes të cilit ata njohin pjesë të reja, ngjarje, situata, emocione.
Leximi iu pasuron fjalorin fëmijëve dhe iu jep një mekanizëm më të fortë për të treguar ndjenjat e mendimet e tyre.
Leximi zhvillon mendimin dhe kujtesën, por edhe ndihmon që ta kuptojnë tjetrin e të jenë më të dashur e të sjellshëm me të.
Koha që kalojmë duke lexuar me fëmijët para gjumit, është një rutinë që na lidh më shumë e na jep kujtime të vyera për gjithë jetën.
Leximi që në fëmijëri është një sjellje e mësuar që s'duhet braktisur asnjëherë. Duke lexuar ne nxisim imagjinatën e fantazinë, ç'ka na bën ta tejkalojmë veten gjithë jetën.
E di që tek ne këto.kohë leximi duket pak i nënvlerësuar, edhe ata që lexojnë shpesh i rrethon një lloj stigme. Por le të hedhim pak sytë nga përvoja botërore për të kuptuar se leximi nuk është thjesht argëtim për t'u mësuar që në fëmijëri:
Bill Gates-it, ka shkruar shumë herë për librat që kanë pasur ndikim të madh në jetën e tij dhe ka krijuar një listë vjetore të librave që rekomandon për t'u lexuar.
Por edhe hiistoria e J.K. Rowling, e cila kaloi nga varfëria në sukses botëror përmes serisë “Harry Potter” mund të na shërbejë si një shembull i mirë për t'iu treguar fëmijëve (shpesh për t'u bindur edhe vetë) se leximi e të shkruarit munden realisht të të përmirësojnë jetën ndjeshëm.
Mund të vijoj pafund kështu, nga Elon Musk, i cili në fëmijërinë e tij lexonte libra fantashkencë që frymëzuan idetë e tij për SpaceX dhe Tesla; te Malala Yousafzai, që frymëzoi botën përmes fuqisë së fjalës dhe leximit; Mark Zuckerberg, i cili shpesh ndan librat që lexon për të zgjeruar horizontet e tij intelektuale apo Stephen Hawking, i cili përmes librave të tij bëri shkencën të kuptueshme për të gjithë; Barack Obama, i cili e konsideron leximin si një mënyrë për t'u lidhur me njerëz dhe vende e ide e për të ardhur te Ismail Kadare, i cili përmes librave të tij ka bërë Shqipërinë të njohur ndërkombëtarisht.
Mos i hyra pak shumë në të thella?
Epo po e mbyll me një shprehje nga Albert Ajnshtajn, që e dua shumë e që besoj vlen si këshillë e vyer:
"Nëse doni që fëmija juaj të jetë inteligjent, lexojini përralla, nëse doni të jetë shumë inteligjent, lexojini më shumë përralla!"