Mos i merrni fëmijët në miting, merrini në kutitë e votimit!

Nesër janë votimet, por sot kam disa gjëra për t’ju thënë.
Të gjithë ju që morët, përdorët, shoqëruat fëmijët në veprimtari të fushatës zgjedhore keni bërë gabim. Të përfshish fëmijët në fushata politike ndalohet nga Konventa për të Drejtat e Fëmijës e OKB-së.
Por nuk dua të ndalem në shkelje ligjesh, për atë ka institucione që duhet ta ndjekin.
Edhe sot dua të flas si sociologe, si specialiste komunikimi e si njeri që, përveçse vetë prind, punoj me fëmijë prej më shumë se 25 vitesh.
Janë fëmijë, nuk kanë aftësi as ligjore e as emocionale për të kuptuar çfarë thuhet e ndodh; nuk mund të marrin pjesë në mënyrë të vetëdijshme në aktivitetet politike.
Si njeri që ka punuar shpesh në fushata komunikimi, e di fort mirë se fëmijët emocionojnë masat, ndikojnë te publiku, rrisin shikueshmërinë e lajmit a postimit. Por është e padrejtë, sepse vihet në lojë individualiteti i fëmijëve. Fëmijëve duhet t’ua mbrojmë dinjitetin, nuk duhet kurrë t’i përdorim për propagandë.
Fushata politike, fatmirësisht, u zhvillua në një klimë të qetë, por mjediset e subjekteve politike janë shpesh krijues të një adrenaline. Është e padrejtë që fëmijët t’i përballim me situata të polarizuara që mund t’iu shkaktojnë stres.
Duke i përfshirë në këto veprimtari, ne ndikojmë padrejtësisht në formimin e opinioneve të tyre, krijojmë konfuzion dhe ndikim të padrejtë në formimin e pikëpamjeve të tyre.
Fëmijët duhet t’i rrisim të lirë nga presioni, manipulimi dhe propaganda.
Mirëpo, nga ana tjetër, fëmijëve tanë — sidomos në një shoqëri si kjo e jona — është shumë e rëndësishme t’iu mësojmë të drejtën e votës që në moshë të hershme.
Curricula shkollore i ka këto tema në lëndën e qytetarisë, por shpesh mësuesit tanë i kalojnë si “punë për t’u kryer” apo edhe i zëvendësojnë me një lëndë që, sipas tyre, ka më shumë rëndësi!
Ndaj, ne prindërit e kemi këtë detyrë.
Edukimi qytetar duhet filluar në familje.
Kur fëmijët mësojnë për votën dhe rolin e saj në demokraci, ata rriten me kuptimin se zëri i tyre ka rëndësi dhe se marrja pjesë në vendimmarrje është një e drejtë, jo një dhuratë.
Merrini fëmijët nesër në qendrat e votimit. Ata duhet të shohin e të mësojnë se mendimi i çdo qytetari ka rëndësi. Jepini shembullin që po votoni pa ndjekur turmën, të lirë e të pashqetësuar nga sa mendojnë të tjerët për votën tuaj të fshehtë.
Merrini me vete që të mësojnë të mos jenë apatikë, të edukohen me ndjenjën e përfshirjes dhe përgjegjësisë qytetare.
Fëmijët nuk janë votues të vegjël; janë qytetarët e së ardhmes. T’i mbrojmë sot, t’i edukojmë sot që të jenë të lirë dhe të përgjegjshëm nesër. E kështu mundemi ta ushqejmë demokracinë e vendit tonë. E kemi vetë në dorë.