Mërzitja nuk është emergjencë!

Në gjithë ngarkesën dhe angazhimet e ditës, nuk di pse shumë prej nesh i kemi vënë vetes një detyrë: të mos i lëmë fëmijët të mërziten!
Si përpiqemi ta zgjidhim këtë?
Fare pak kohë të lirë, kopsht ose shkollë, pas tyre kurse, kurse, kurse... ose lojëra, kukulla, plastelinë, makina, apo, edhe më keq akoma, iPad, celularë, laptop... Plotësojmë çdo dëshirë, që të mos mërziten ata.
Por, ata prapë mërziten – madje, shpesh, mërzitemi më shumë ne.
Pse fëmijët janë të mërzitur, kur ne po bëjmë gjithçka për t’ua plotësuar dëshirat?
Kam një lajm të mirë:
Fëmijët duhet të mërziten – kjo iu bën mirë!
Pse duhen lënë fëmijët të mërziten?
Në botën e sotme, ku fëmijët i mbushim me stimuj e aktivitete të pandërprera, çastet e mërzitjes janë shumë të nevojshme.
Kur fëmija ynë mërzitet, nuk do të thotë se po dështojmë si prindër; përkundrazi, po i ndihmojmë të zhvillojnë veten emocionalisht, krijueshmërisht dhe mendërisht.
Kur nuk kanë aktivitete të gatshme, fëmijët shpikin lojëra, histori, apo mënyra të reja për të kaluar kohën, duke ushqyer imagjinatën e tyre.
Nuk ka diçka më të favorshme për zhvillimin mendor të fëmijëve sesa nxitja e imagjinatës dhe e kreativitetit.
Është shumë e vlefshme që fëmijët të mësojnë të përballen me ndjenjat e boshllëkut dhe të parehatisë, pa pritur që dikush të ndërhyjë menjëherë.
Duke pasur kohë të lirë dhe mundësi të zgjedhin vetë çfarë të bëjnë me të, fëmijët zbulojnë më mirë çfarë u pëlqen dhe cilat janë pasionet e tyre.
Ne e dimë fort mirë se jeta nuk është gjithmonë një fushë me lule dhe që fëmijëve tanë do t’u duhet të përballen me situata e probleme të ndryshme. Përballja me mërzitjen i bën emocionalisht më të fortë dhe më të përgatitur për jetën, ku jo gjithçka rrotullohet rreth argëtimit.
Kështu, u japim mundësinë ta njohin më mirë veten – dhe kjo, në asnjë mënyrë, nuk duhet të na bëjë të ndihemi në faj.
Prandaj, kur fëmija t’ju thotë se është i mërzitur, mos u nxitoni të zgjidhni menjëherë mërzinë e tij.
Lëreni një pjesë të ditës pa organizime, detyra, kurse apo ekrane. Kjo do t’i ndihmojë të eksplorojnë spontanisht. Nëse kanë nevojë për ndihmë, jepuni alternativa, jo zgjidhje të gatshme.
Dhe çfarëdo që ata të zgjedhin të bëjnë për të kaluar mërzinë – duke krijuar diçka të re, duke vizatuar, duke bërë ndonjë eksperiment ose duke gatuar – mbështetini dhe vlerësoni përpjekjet e tyre, pavarësisht rezultatit.
Ata kanë nevojë për konfirmimin tonë se po ia dalin dhe se përpjekja e tyre ka vlerë.
Kështu i ndihmojmë fëmijët të rriten duke zhvilluar mendjen dhe krijimtarinë e tyre. Një mendje e zhvilluar, që krijon, është një mendje e lirë.
E nëse rrisim fëmijë të lirë, atëherë vërtet jemi në rrugën e duhur të prindërimit të mirë!