Të vërtetat e thjeshta

Lumturinë e përditshme (mos) na e fal sot!

Lumturinë e përditshme (mos) na e fal sot!

Në një nga takimet me lexues të librit tim, biseda me psikologen që po moderonte takimin shkoi te përgjegjësia e komunikimit me fëmijët.

Diku mes fjalëve të mia unë thashë "sepse koha që shpenzoj me vajzat e mia..."

E një i ri diku te të njëzetat ndërhyri: pse nuk thua : koha që lumturohem me fëmijët...ça është kjo shprehje...shpenzim?

Përgjigjen sigurisht ia dhashë të menjëhershme... jo çdo gjë që bëjmë në çdo çast të ditës na lumturon, qoftë kjo edhe kohë me fëmijët. Shumë më shumë gjëra në jetë janë përgjegjësi e procese... më pas vjen edhe lumturia.

Ky fragment më erdhi dje në mendje kur pashë një artikull postuar nga Tirana Post, i cili pasqyronte rezultatet e studimeve që tregojnë se të rinjtë e sotëm nuk janë të lumtur.

Prej këtyre gjërave mori shkas shënimi im i sotëm.

Njerëzit, qofshin këta edhe të rinj, nuk duhet e as nuk mund të jenë të lumtur gjithmonë.

Lumturia e përditshme është një mentalitet fals i përcjellë nga rrjetet sociale, por jeta reale, është diçka tjetër.

Lumturia e pandërprerë nuk është as reale, as e dobishme për zhvillimin emocional dhe mendor.

Emocionet e shumta që qeniet njerëzore përjetojnë, ndodhin për arsye të ndryshme, e krahas tyre, kanë funksione të rëndësishme që na ndihmojnë të kuptojmë veten, të përballemi me sfida dhe të marrim vendime më të mira.

Mërzija, trishtimi, nervozizmi janë sinjalet e trupit e mendjes se diçka nuk është si duhet.

Këto emocione në kontrast me lumturinë, ia japin vlerën kësaj të fundit.

Teksa për secilin prej nesh është shumë e rëndësishme të rritemi personalisht, na duhet të përballemi me sfida, të mësojmë, të reflektojmë, të ndryshojmë.

Lumturia sipërfaqësore dhe e pandërprerë në kohë nuk e kushtëzon shëndetin mendor. Një jetë e shëndetshme përfshin një gamë të plotë emocionesh.

Synimi nuk është të jemi gjithmonë të lumtur, por të jemi mirë, të dimë si të menaxhojmë çdo ndjesi që na vjen.

Ndaj le të flasim me fëmijët tanë e sidomos adoleshentët që shpesh varin buzët. Shpesh edhe ne pas tyre.

Gjithë sa shohim në rrjete sociale e media, janë shpesh përmbajtjet e krijuara enkas për të tregtuar, reklamuar, produkte, sjellje, shërbime. Jeta me kamerat e fikur është diçka tjetër.

Lumturia është një proces. Duhet punë e sfidë për ta arritur. E kur e arrin, diçka tjetër ndodh, një tjetër betejë duhet fituar. Ose edhe humbur. Por duhet të dimë t’iu gëzohemi humbjeve si proces i njohjes, rritjes, zhvillimit.

Dhe e fundit për sot. Shumë më shumë se materiale, lumturia është shpirtërore.

Shumë më shumë se përjetim ndaj vetes, lumturia është projeksioni i tjetrit tek ne, apo i vetes tek tjetri. Kur bëjmë diçka mirë, kur ndajmë dashuri, vëmendje, kohë me tjetrin, e shumëfishojmë ndjesinë e gëzimit tek vetja.

Ndaj nëse duam që fëmijët tanë të dinë të jenë të lumtur, duhet t’iu mësojmë ta dallojnë lumturinë, duhet t’i nxisim të komunikojnë në jetën reale, me tjetrin.

E çastet e lumtura do t’jua shpërblejnë përpjekjen.