Të vërtetat e thjeshta

Fikini kamerat!

Fikini kamerat!

Ka një mijë arsye pse nuk duhen lejuar fëmijët të jenë në mediat sociale apo edhe të kenë telefona smart. E dëgjojmë kudo tani këtë, fatmirësisht. Shpresoj shumë që ta marrim seriozisht.

Kësaj teme po i kthehem sot, veç për një nga arsyet, pas një përvoje timen.

Shënimi im i javës së shkuar “Të hapen kutitë” (https://tiranapost.al/te-vertetat-e-thjeshta/te-hapen-kutite-i537342) është, për mendimin tim modest, një nga më interesantët: bazuar në përvojë jetësore, ka elemente që sugjerojnë zgjidhje, ka detaje që nxisin kureshtje… pra, nëse do ta kishte shkruar dikush tjetër dhe unë do të isha lexuese, realisht do ta kisha pëlqyer dhe vlerësuar.

Njëkohësisht, shkrimi im i javës së shkuar është më pak i lexuari dhe me më pak pëlqyeshmëri nga të gjithë shënimet që kam bërë në këto nëntë javë në hapësirën “Të vërtetat e thjeshta” që më ka ofruar Tirana Post (faleminderit sërish).

Paralelisht me këtë, gjatë javës që shkoi, nëse jeni aktivë online, zor se nuk keni parë videon e një vajze të re që gati tallet me djemtë që mbajnë çadër kur bie shi…

Në një paralele tjetër, javës që shkoi, shumë fëmijë nga shkolla të ndryshme në vend kanë përballur dijet e tyre, edhe aftësitë komunikuese, në konkurse e olimpiada. Për këta të fundit, është shumë e vështirë të gjeni diçka që shpërndahet shumë në rrjet.

Por le të kthehemi te shkrimi im i kaluar. Si ka mundësi që shënimi nuk pati shikueshmëri?

Fotoja e zgjedhur duket ta ketë fajin (!)

“Nëse, si në shënimet e tjera, do të kishe zgjedhur ta shoqëroje shkrimin me një foto personale të kuruar, shikueshmëria do të ishte shumë më e madhe.” Kështu më tha një specialist i kësaj fushe. (Prandaj, që ju ta lexoni shkrimin, sot dal vetë prapë kokë e këmbë në foto.)

Domethënë, me fjalë të thjeshta, në mediat sociale, nëse po kërkon vëmendje dhe pëlqyeshmëri, brendia nuk është thelbësore, dukja po.

Pa dashur të vë barazime, por thjesht për ta parë në një këndvështrim më të prekshëm për fëmijët tanë… Nëse ia dalin shumë mirë dhe provojnë dijet, nuk bëhen lajm… nëse flasin broçkulla apo investohen te dukja, suksesi i shikueshmërisë është i garantuar.

Unë jam e rritur, e arrij ta kuptoj që duhet shumë kohë për të ndërtuar një profil, një “markë” që tërheq shikueshmëri me përmbajtje—shumë punë, shumë durim apo edhe të ruaj raportet formë/përmbajtje, apo edhe të mos e vë në dyshim aftësinë time nga numri i njerëzve që hapin një link në një portal. Di edhe si ta menaxhoj këtë në favor të interesit tim profesional.

Po fëmijët? ( për kujtesë ligji i njeh si fëmijë deri në moshën 18 vjeçare)

Teksa janë të vegjël dhe rriten me dyshimet e mëdha nëse po ia dalin, edhe me njësi matëse aspak të qarta apo të vlefshme, edhe me shumë pak hapësira të dedikuara për t’u promovuar, edhe me presionin e krahasimit të palogjikshëm me tjetrin, edhe me mangësi të forta të komunikimit në familje apo me mungesën e vëmendjes dhe edukimit emocional nga institucionet (shkolla, media..) … si t’ia dalin fëmijët tanë të mos turbullohen nga dëshira për sukses të shpejtë? Ku ta gjejnë durimin, vullnetin, shembullin? Si të mundohen të krijojnë diçka, kur shumë më shumë vëmendje marrin nëse bëjnë si “të famshmit” e rrjeteve?

Le t’ua lehtësojmë pak jetën! Le t’i heqim nga rrjetet sociale! Le të përpiqemi shumë më shumë që ata të kalojnë kohë në botën reale, të njohin veten dhe të flasin me njëri-tjetrin, të masin dijet, të përballin forcat… Ka kohë për ta bërë këtë virtualisht.

Si fillim, le t’i lëmë të jenë fëmijë pa u "ndezur kamerat."