Scriptorium

¨Mos u dëshpëroni asnjëherë, dhe nëse dëshpëroheni, vazhdoni punën¨

¨Mos u dëshpëroni asnjëherë, dhe nëse

Javier Marias/ Para pak vitesh – ndoshta në 2018 – bëra një krahasim mes viteve të shekullit paraardhës dhe të këtij shekulli, ishte krejtësisht e qartë se cili ishte më i keqi, që ky shekull nuk kishte kaluar asnjë ngjarje të ngjashme me Luftën e Parë Botërore dhe me gripin e viteve1918-1920, që vrau rreth 100 milionë njerëz. Nuk mund as ta imagjinonim që diçka e ngjashme me atë pandemi do ta ¨pushtonte¨ botën në vitin 2020. Sigurisht që numri i atyre që kanë humbur jetën nga koronavirusi as që nuk i afrohet atyre që vdiqën para 100 vjetësh, megjithëse tani, planeti Tokë, është i mbushur me njerëzit më mendjelehtë, egositë dhe frikacakë.
Paaftësia e heqjes dorë nga argëtimet, vihet re që në periudhën e para Krishtlindjeve. Është fundjava e parafundit e këtij muaji dhe rrugët janë plot e përplot sikur të mos ishte duke ndodhur asgjë, ndryshe. Na lajmëruan që javët në vijim janë shumë të rëndësishme dhe duhet të vazhdonim të tregonim kujdes të jashtëzakonshëm në respektimin e masave për të parandaluar një valë të tretë infektimesh në janar. Kërkesë që ka shkuar në veshë të shurdhër: ¨Duhet të dalim të blemë ndonjë gjë ose të pimë ndonjë gjë¨, ¨Si do ngelemi pa festa¨, ¨Si nuk do puthemi natën e ndërrimit të viteve¨. Natyrshëm më lind pyetja, çfarë duan tjetër këta njerëz për ta kuptuar, që nëse një vit nuk i bëjmë dot këto gjëra, nuk është fundi i botës dhe çmimi që duhet të paguajmë në të kundërt është shumë i lartë, jo vetëm për vendin tonë por për gjithë botën.

Disa javë në spital, për çfarë, për ca përqafime me miqtë dhe për ca darka familjare? Nuk ka asnjë logjikë dhe për më tepër më frustron tej mase e gjitha kjo.
Ndonjëherë dhe autoritetet kanë fajin e tyre në këtë sjellje të njerëzve sepse kanë bërë gjithçka që kanë pasur në dorë që rregullat të mos zbatohen. Po, përmes ndriçimit të rrugëve, pemëve të vitit të ri, i tërheqin turmat për tu mbledhur, pse dreqin i kanë vënë? Kryetarët e bashkive që iu ka shkuar në mendje kjo gjë, duhet të çohen në gjyq.

Ka qenë një vit i trishtë dhe i çuditshëm. E dimë që në pak kohë gjithë këtij tmerri do i ketë ardhur fundi – ashtu siç ndodhi në shekullin e kaluar me njerëz më pak të përgatitur – ky fakt nuk ngushëllon përsa kohë jemi ende në pandemi dhe askush nuk e di se kujt do t´i takojë të vuajë. Kuptoj që pas njëmbëdhjetë muajsh frike, mëshire, parehatie, pa i parë të afërmit tanë, të mbyllur në shtëpi ose duke dalë fare pak, në kërkim të gjetjes së gjërave për të bërë për veten. Numri i njerëzve që vuajnë nga ankthi, depresioni, pagjumësia, ka pësuar rritje. Por duhet të durojmë edhe pak. Në mars besonim që kjo ¨edhe pak¨ do të ishte kohë më e shkurtër dhe çdo muaj që kalon na duhet të vazhdojmë të besojmë të njëjtën gjë. Por vetëm kështu do tia dalim. Kanë humbur jetën njerëz që çmoja shumë, dhe shumë të tjerëve duhet tiu ketë ndodhur e njëjta gjë. Njoh njerëz që kanë gjithë këtë kohë që nuk arrijnë dot të përqëndrohen në asgjë, që kanë mbetur në pritje dhe janë si të paralizuar. Njoh të tjerë gjithashtu që kanë ndjekur rekomandimin e Burke ¨Mos u dëshpëroni asnjëherë, dhe nëse dëshpëroheni, vazhdoni punën¨. Jam munduar ta aplikoj dhe vetë gjatë këtij viti, kam shkruar 403 faqe të librit tim ¨Tomas Nevinson¨, që ashtu siç ju pata treguar, e përfundova nga fundi i tetorit dhe ndërkohë kam shkruar dhe 58 artikuj. Nuk më mjafton asnjë prej këtyre gjërave që të jem i kënaqur. Besoj se për ne si qenie është e vështirë të themi: ¨Me kaq do e mbyll, do dal në pension, do pushoj¨. Të paktën kështu ndodh me mua.

Ndoshta duhet ta përgëzoj veten, veçanërisht nëse kam parasysh ata të cilët e gjitha kjo situatë i ka mundur. Kam qëndruar aktiv, kam arritur një lloj ekuilibri. Kam parë filma që kisha në listën time për ti parë. Kam lexuar, kam dëgjuar muzikë, mrekullitë magjepsëse të Jean Gilles që akoma dëgjohen, dhe pse kanë kaluar 315 vjet nga vdekja e tij. Kam shëtitur nëpër një qytet më të bukur e më të njërëzishëm se ai qytet në të cilin po shëndrrohej. E di që kjo pandemi ka dëmtuar një sërë biznesesh, por duhen parë dhe përfitimet që kemi pasur. Kam shkëmbyer më shumë biseda me ata pak njerëz që takoj, ndihmësen time të shkëqyer Mercedes, pastruesen Aurorën, Lola portieren, bukëpjekësen Fanny, Arturin, të cilit do të duhet ta mbyllë biznesin deri nga fundi i vitit, shokun tim Tanon, redaktoren time Pilar, mjekun dhe mikun tim Jose Manuel dhe sigurisht bashkëshorten time, Carmen me të cilën kalova katër muaj mbyllur por kam tre muaj që nuk e shoh. Të gjithë më kanë dhënë gëzim dhe i kanë dhënë kuptim ditëve të mia. Ne përshtatemi me çdo situatë. Dhe pavarësisht se mund të tingëllojë shumë absurde, mua përvete do më mungojnë disa gjëra nga e gjithë kjo situatë. Meqë e konsideroj veten goxha koherent, jam i sigurt se kur të kalojë e gjitha kjo, do ketë shumë që do të thonë: ¨Pavarësisht të gjithave, nuk ishim dhe aq keq¨.

*Javier Marias është novelist, përkthyes Spanjoll. Autor i 15 novelave, disa prej të cilave janë përkthyer në 44 gjuhë të ndryshme të botës. Është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare si: Rómulo Gallegos Prize (1994), International IMPAC Dublin Literary Award (1997), Austrian State Prize for European Literature (2011).

¨Mos u dëshpëroni asnjëherë, dhe nëse

Artikulli u shqipërua dhe u redaktua për TiranaPost.al nga Albana Murra.