Shënime në Blog

Roj Medvedev/ Synimet ruse shpjeguar nga një mbështetës i Putinit

Roj Medvedev/ Synimet ruse shpjeguar nga një mbështetës i Putinit

“Për çdo gjë që ndodh, ju bëni krahasime me Bashkimin Sovjetik dhe ktheheni menjëherë te lufta e ftohtë”. Më shumë se një interviste, ky bashkëbisedim i ngjan një ndeshjeje trup më trup. Nëntëdhjetë e pesë vjeç, në daçën e tij jashtë qytetit (shtëpi pushimi), i rrethuar nga mështeknat dhe katërmbëdhjetë mace, historiani i stalinizmit Roj Medvedev, "fëmija i tmerrshëm" gjatë regjimit sovjetik, kundërshtari i vendosur i "amerikanizimit" të prezantuar nga Boris Jelcin, nuk e shijon privilegjin e shkëputjes. Profesori i moshuar, me qëndrimin luftarak dhe kokën ende të kthjellët, edhe pse me ide të dyshimta, e deklaron veten "të lidhur idealisht" me atë Rusi që përbën bazën e veprimit të Vladimir Putinit. "Nuk ka ndonjë gjë të keqe të duash të rikrijosh Rusinë që të paktën si territor i referohet kufijve të Pjetrit të Madh".

A nuk ju duket se projekti është çdo gjë tjetër, veçse i padëmshëm jo?
Ndoshta i druheni pasojave ekonomike, por shumica e rusëve është dakord me atë që po ndodh. Vetëm se ju perëndimorëve nuk ju pëlqen ta pranoni. Kështu ju e përcaktoni Rusinë si regjim, duke injoruar faktin që rezolutat në Duma miratohen unanimisht, edhe nga ajo pak opozita, e cila nëse nuk do të ishte kështu, do të kishte çdo mundësi për të mos rënë dakord.

Ata që nuk pajtohen, trajtohen si njerëz me probleme.
Demokracia ka shumë lloje, jo vetëm një. E pranoj që kjo e jona është shumë e kontrolluar. Por me pothuajse dhjetë vjet demokraci perëndimore në vitet e Jelcinit, vendi gati po shpërthente. Dhe ju as kjo nuk ju pëlqeu. Përveç asaj periudhe, rusët nuk e kanë përjetuar kurrë demokracinë "tuaj". Nuk janë mësuar me të.

Cili është roli i Putinit në historinë ruse?
Pa asnjë diskutim që është një figurë e veçantë. Ai është i fiksuar me përballjen me të shkuarën, kërkon të mbahet mend, të bëhet ikona jonë. Në këtë kuptim, shtyhet edhe nga ambiciet personale. Ukraina është mbi të gjitha përpjekja e tij për të rishkruar historinë, duke devijuar rrugën. Sigurisht që nuk është një Car, për të kjo figurë merr nuanca mitologjike. As Leninit nuk i ngjan, por as Stalinit me të cilin ju djallëzisht e krahasoni.

A do ta ndryshojë mendimin tuaj kjo që po ndodh?
E quajnë si operacion special. E pranoj se është një përkufizim i mjegullt, por nuk bëhet fjalë as për një luftë totale. Rusët nuk e shohin si të tillë.

Po për viktimat faji i kujt është?
Fatkeqësisht ka shumë viktima tashmë. Lufta është më mizorja e ngjarjeve historike. Ne rusët jemi mësuar me të.

Çfarë ka në kokë Putini?
Në këtë pikë pranoj interpretimin perëndimor. Ai kërkon ta vendosë Rusinë mes fuqive më të mëdha të botës, pavarësisht nga pozicionet e Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Ai i mendon vertetë ato që thotë, beson tek ato që thotë. Por problemi mbetet i njëjti: për Europën, Rusia do të mbetet gjithmonë shumë e madhe. Për pjesën dërrmuese të rusëve, kjo nuk është e vërtetë.

Çfarë do të ndodhë me Ukrainën?
Përsa i përket sferës së ndikimit, gjeografikisht do të kthehet në kohët e Gogolit, shkrimtarit tonë të madh që ka lindur aty ku sot është territor ukrainas, por të gjithë e konsiderojnë rus. Historia nuk shkon kurrë dëm. As Putini nuk e ka në plan të rimarrë të gjithë Ukrainën. Vetëm atë zonë që flet rusisht. Sa i përket kërcënimit bërthamor, askush nuk mendon vërtet për të. Janë vetëm fjalë.

Profesor Medvedev, ç'ju ka ndodhur kështu?
Durimi ikën duke u plakur. Nuk mund ta duroj dot më këtë retorikën tuaj perëndimore. Përveç modelit amerikan, ka edhe shumë modele të tjera se si organizohet një shtet. Ju europianët duhet ta kuptoni të parët. Por gjithmonë keni refuzuar ta pranoni këtë fakt kaq të qartë. Bota nuk është më bipolare dhe po shkon drejt një tjetër rruge. Putini dhe Rusia ju pritën boll, dhe tani kanë vendosur të veprojnë vetë.

*Roj Medvedev është politolog dhe historian rus, shkrues i historisë së disidencës staliniste me librin “Le ta gjykojë historia”, i publikuar në perëndim që në vitin 1972. Iu ribashkua Partisë Komuniste në vitin 1989 kur Mikhail Gorbaçov publikoi perestrojkën, ndërsa njihet si një prej intelektualëve që mbështesin Vladimir Putinin. Kjo intervistë për Marco Imarisio u përkthye në shqip nga Erjon Uka.