Shënime në Blog

Mario Vargas Llosa/ Fundin e luftës e ka në dorë populli rus

Pushtimi i Ukrainës gëzon të gjitha karakteristikat e një operacioni të dështuar të qeverisë ruse, nga ku Rusia do të dalë e deskritituar, ndoshta edhe e penduar. Njëkohësisht, industrialistët në krye të kompanive më të mëdha po ngrenë zërin. Është diçka e pazakonte, sepse në pjesën më të madhe pasuritë i kanë mbledhur falë miqësisë me Putinin. Për shembull, Alexei Mordashov, i konsideruar si njeriu më i pasur i Rusisë, sapo foli hapur duke kritikuar pushtimin.
Mario Vargas Llosa/ Fundin e luftës e ka në dorë populli rus

Nga Mario Vargas Llosa/ Presidentit rus nuk po i shkojnë gjërat siç i kishte menduar. Para së gjithash, pushtimi i Ukrainës ka shkaktuar një reagim negativ në të gjithë botën duke tejkaluar goxha pritshmëritë e Kremlinit. As Kina, që Rusia mendonte se e kishte në anën e saj, nuk e mbështeti haptazi: po mban një qëndrim të kujdesshëm, që pa dyshim ka të bëjë me demostratat armiqësore që po mbahen në të gjithë botën e civilizuar.

Nga ana tjetër, pas disa ditësh nga fillimi i sulmit, tanket ruse nuk kanë arritur ende të marrin në kontroll Kievin, ku një popull kurajoz dhe i bashkuar po i reziston pushtimit, edhe pse epërsia ruse herët a vonë do të arrijë objektivin e saj. Kanë nisur tashmë të bombardojnë lagjet e banuara dhe stacionet televizive, duke treguar qartë mungesën e kontrollit. Por do të duhej një masakër e vërtetë për t’iu imponuar një populli të pathyeshëm dhe armiqësor. Është e qartë se ushtarët rusë do të kenë ditë të vështira në të ardhmen e afërt. Kemi parë tashmë në televizor kufomat e dergjura pranë mjeteve luftarake, pa i marrë askush.

Shtrëngesat ekonomike të vendosura ndaj Rusisë kanë pasur një efekt të menjëhershëm dhe të gjithë i kemi parë radhët e gjata (e po aq të kota) të popullit rus që kërkonte të tërhiqte para nga bankomatët për t’i bërë ballë shpenzimeve të përditshme, teksa rubla, pas rënies në pikiatë, nisi të zhdukej edhe nga bankat. Në të njëjtën kohë, bankat perëndimore kanë përjashtuar bankat ruse nga i ashtuquajturi sistemit Swift, për pasojë duke hequr mundësinë për të bërë pagesa brenda sistemit bankar rus. E gjitha kjo ka krijuar një situatë tejskajshmërisht të vështirë për popullsinë ruse, që po përballet me mungesën e mallrave të konsumit të përditshëm dhe boshatisje të rafteve në dyqane dhe supermarkata.

Sa i takon, reagimi i popullit rus ndaj pushtimit nuk ishte aq pasiv dhe entuziast siç do të parashikonte Putini. Kemi parë manifestime të mëdha kundër luftës në qytetet kryesore, ku për pasojë mijëra njerëz kanë përfunduar në burg. Kjo do të thotë se pushtimi abuziv i Ukrainës në favor të një pjese shumë minoritare të rusëve që do ta donte të bashkuar me vendin si në kohët e vjetra të Stalinit, është shumë larg përfaqësimit përbashkues të një populli të ndarë që pavarësisht kërcënimeve nga pushteti, ende guxon të protestojë kundër luftës.

Për më tepër që sasia e granatave, armëve dhe forcave që Perëndimi në përgjithësi dhe Europa në veçanti po i dërgojnë Ukrainës për ta mbështetur mbrojtjen e saj, tejkalojnë ndjeshëm pritshmëritë. Shtetet anëtare të NATO-s që siguruan neutralitetin në këtë çështje, ishin të parat që e thyen duke mbështetur haptazi Ukrainën. Dhe është e natyrshme: Ukraina frikëson vendet e tjera europiane, që mendojnë se pushtimi i saj mund të jetë fillimi i një plani shumë të qartë, pra fiksimi i Putinit për të rindërtuar sistemin e vjetër sovjetik të shteteve dhe qyteteve satelite që do t’i siguronin mbrojtje Rusisë nga ndonjë sulm i supozuar perëndimor. Pra pushtimi i Ukrainës gëzon të gjitha karakteristikat e një operacioni të dështuar të qeverisë ruse, nga ku Rusia do të dalë e deskritituar, ndoshta edhe e penduar. Njëkohësisht, industrialistët në krye të kompanive më të mëdha po ngrenë zërin. Është diçka e pazakonte, sepse në pjesën më të madhe pasuritë i kanë mbledhur falë miqësisë me Putinin. Për shembull, Alexei Mordashov, i konsideruar si njeriu më i pasur i Rusisë, sapo foli hapur duke kritikuar pushtimin.

Natyrisht që kjo nuk ishte në pritshmëritë e qeverisë ruse. Putini mendonte se pushtimi i Ukrainës do t’i ngjasonte një shëtitjeje, por nuk ndodhi aspak kështu pavarësisht gjashtëdhjetë kilometrave me tanke që penetruan në territorin ukrainas. Autoritetet ukrainase janë mbajtur fort dhe pavarësisht qindra mijëra personave që janë larguar në vendet fqinje, kryesisht në Poloni, shumë ukrainas që jetojnë jashtë vendit u rikthyen në shtëpi për t’iu bashkuar grupeve klandestine që po rezistojnë, ose po përgatiten për rezistencën. Presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelenski, kërkoi me tone dramatike që vendi i tij të pranohet plotësisht në Bashkimin Europian, propozim që u prit pozitivisht. Edhe pse vështirësitë për ta realizuar menjëherë këtë opsion janë shumë të mëdha dhe ndoshta të patejkalueshme, është e qartë se herët a vonë ky do të jetë fati i Ukrainës.

Llogaritë e Putinit për të gëzuar besnikërinë e Ukrainës pas pushtimit abuziv ishin mëse të gabuara. Çfarë e shtyu këtë gabim kolosal të Putinit dhe kolegëve të tij qeveritarë të pushtimit abuziv dhe imperialist, që e barazon Rusinë me pushtimin hitlerian të Çekosllovakisë, me pretekstin e mbrojtjes së popullit rus nga poshtërimet që po pësonte? Pasiviteti i popullit rus, i joshur nga një lider relativisht i ri dhe i guximshëm që mblidhte rreth vetes të gjitha pushtetet e dukej se po vendoste rregull në një vend të kërcënuar nga kaosi dhe përçarja.

Por kërcënimi i një lufte me fuçi bërthamore me të cilat është e mbushur Rusia, shkundën një botë të tërë që reagoi për të ndaluar pushtimin abuziv dhe prepotent përmes së cilit Rusia donte të shkatërronte një vend paqësor e ku kishte ushtruar edhe më herët arrgancën e saj duke zotëruar Krimenë në një mënyrë të papranueshme për perëndimin. Ishte pa dyshim ky precedent që vuri në lëvizje të gjithë botën krah Ukrainës, një mobilizim që çuditi edhe vetë qeveritë duke shtyrë disa prej tyre, si Suedia për shembull, të marrin vendime shumë të largëta nga neutraliteti me të cilin kanë vepruar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Arsyeja është e thjeshtë: Këtë herë edhe Suedia ndihet e kërcënuar nga një pushtim rus që Zoti e di deri ku mund të arrijë.

Nga sa ka ndodhur deri tani, është e qartë se Putini ka gabuar duke thurur pushtimin e Ukrainës që i hapi sytë gjithë botës mbi qëllimet e liderit rus. Gjërat janë të ndërlikuara e për këtë s’ka dyshim, që nga fakti se Rusia është vendi me numrin më të madh të bombave bërthamore për të cilat shpresohet që lideri rus nuk do t’i përdorë duke vënë në rrezik krejt botën.

Ky është rreziku i fillimit të çdo aksioni ushtarak nga çdonjëra prej superfuqive të kohës sonë: që veprimi ushtarak mund të aktivizojë ato fuçi baruti që mund të zhdukin çdo qenie të gjallë mbi tokë. Shpresojmë se populli rus, më në fund i angazhuar pro paqes, t’i japë fund këtij kërcënimi.

*Mario Vargas Llosa është shkrimtar, gazetar dhe politikan peruan, fitues i çmimit Nobel për letërsinë në vitin 2010. Po ashtu është nderuar me çmimet “Princi i Asturias”, “Miguel de Cervantes”, “Jerusalem Prize” apo “Urdhri Pablo Neruda për merita artistike dhe kulturore”. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.