Sveçla publikon videon nga brenda Manastirit të Banjskës: Milan Radojçiç drejtoi grupin terrorist
Ministri i Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla ka publikuar një video nga Manastiri i Banjskës ku u strehua grupi terrorist që sulmoi policinë në Kosovë dhe thotë se në pamjet duket qartë prania e Milan Radojiçiç, nënkryetari i Listës Serbe, i shpallur “Non Grata” nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe.
Ai shprehet se Radojiçiç është udhëheqës i grupit terrorist dhe sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
“Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve. Harta e sulmit terrorist po qartësohet çdo ditë: Aleksandër Vuçiç përmes Listës Serbe, dhe këta përmes nënkryetarit të tyre Radojçiq, kanë ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Republikën tonë. Pra, LS e sheh pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste. Ata dështuan”, ka thënë ai.