Lajme nga Bota

Lufthansa dhe Swiss Air pezullojnë fluturimet drejt Kievit

Lufthansa dhe Swiss Air pezullojnë fluturimet drejt Kievit

Lufthansa dhe Swiss Air kanë vendosur pezullimin e fluturimeve për në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev nga dita e sotme për shkak të frikës në rritje të një pushtimi rus.

Linja ajrore gjermane Lufthansa tha se do të ndalojë edhe fluturimet për në Odessa, një port i rëndësishëm në Detin e Zi.

"Siguria e pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit është prioriteti ynë kryesor në çdo moment," tha Lufthansa.

Javën e kaluar edhe linja ajrore holandeze KLM pezulloi fluturimet për në Kiev.

Pezullimi i fluturimeve të Lufthansa pritet të qëndrojë në fuqi deri në fund të shkurtit.

Edhe Swiss Air tha të dielën se fluturimet për në Kiev pezullohen nga e hëna deri në 28 shkurt. Si Lufthansa ashtu edhe Swiss thonë se do të monitorojnë nga afër situatën dhe se janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Linja ajrore zakonisht kryen 74 fluturime për në Ukrainë çdo javë nën emrin e Lufthansa ose kompanive të tjera që zotëron, ku përfshihen Austrian Airlines, Euroëings dhe Swiss.

Lufthansa tha se do të vazhdojë të fluturojë për në Lviv në Ukrainën Perëndimore.

Ryanair dhe Wizz Air të cilat gjithashtu kryejnë fluturime për në Ukrainë javën e kaluar thanë se do të vazhdojnë me fluturimet drejt vendit. Ryanair është linja ajrore më e madhe që fluturon midis Evropës dhe Ukrainës, e ndjekur nga Wizz Air.