Kina: Nëse do t’i dinim qëllimet e Rusisë, do bënim çmos për ta parandaluar

Ambasadori i Kinës në SHBA, Qin Gang ka deklaruar se Kina nuk kishte asnjë dijeni për planet e Rusisë në Ukrainë, duke shtuar se nëse do të kishte do kishin bërë çmos për ta parandaluar.
"Ka pasur pretendime se Kina ishte në dijeni të aksionit ushtarak rus dhe se i kishte kërkuar Moskës ta shtynte atë deri në fund të Lojërave Olimpike Dimërore. Zëra të tjerë pohuan gjithashtu se Rusia po kërkonte ndihmë ushtarake nga Kina. Më lejoni ta them këtë me përgjegjësi: pretendimet se Kina ishte në dijeni, pranoi ose mbështeti në heshtje këtë luftë janë thjesht dezinformata. Të gjitha këto deklarata shërbejnë vetëm për të shkarkuar fajin dhe për të hedhur baltë mbi Kinën. Në Ukrainë kishte më shumë se 6000 qytetarë kinezë. Kina është partneri më i madh tregtar i Rusisë dhe Ukrainës dhe importuesi më i madh i naftës bruto dhe gazit natyror në botë. Konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës nuk është i mirë për Kinën. Nëse Kina do ta dinte për krizën e afërt, ne do të kishim bërë çmos për ta parandaluar atë”, siguroi ambasadori.