Scriptorium

Javier Cercas mbi shkrimtarët

Javier Cercas mbi shkrimtarët

Përtej hyjnizimeve, nuk kam patur ndonjë interes të veçantë për të dëgjuar shkrimtarët e mi të preferuar të flisnin në publik, më habiste fakti që njerëzit i intrigonte kjo ide. Një shkrimtar është dikush që shkruan mirë, jo domosdoshmërisht dikush që flet mirë. Është e qartë që ka përjashtime. Shkrimtari irlandez Oscar Wilde, një gjeni në jetë dhe një talent në të shkruar, fliste më mirë sesa shkruante, pothuajse.

I ngjashëm ishte rasti i Borges-it, kur isha adoleshent e ndiqja në çdo cep të Spanjës dhe kurrë nuk e dëgjova të shqiptonte një shprehje që t’i mungonte humori apo inteligjenca. ¨Mendoj si gjeni, shkruaj si romancier i shquar, flas si fëmijë¨ ka thënë Vladimir Nabokov.

Coetzee, një nga romancierët më të mirë të kohërave, zhgënjen publikun që kishte shkuar ta dëgjonte sepse vetëm lexonte tekstet e tij ose iu përgjigjej shkurtimisht pyetjeve që i bëheshin. Zhgënjime të tilla janë logjike. Përveç Wilde, një shkrimtar i vërtetë shkruan përmbajtjen e tij në libra, mënyra që shkruan e tejkalon atë. Për më tepër, uni i vërtetë i një shkrimtari autentik nuk është ai që endet e sillet si njeri i zakonshëm, por ai që jeton në atë çka shkruan. ¨Unë jam shkrimtar vetëm kur shkruaj¨, justifikohet Adolfo Bioy Casares para atyre që i kërkonin të fliste. Ndoshta të gjithë ne shkrimtarët duhet ta imitojmë.

Ose këtë mendoja deri në fillim të 2013, kur ndryshova mendim. Ndodhi pikërisht në një teatër në Kartagjenë, organizatorët e Festivalit Hay kishin ftuar në një debat Mario Vargas Llosa dhe Julian Barnes për të folur mbi ¨Madame Bovary¨ të Flaubert. Ftesa ishte pothuajse e parashikueshme. Vargas Llosa u soll si një shkrimtar legjendar dhe lexoi një ese mbi librin ¨La orgia perpetua¨ ndërsa Barnes i dha çmimin ¨El loro de Flaubert¨, e pazakonshme ishte ajo që ndodhi gjatë debatit. Debati po shkonte mirë deri në momentin kur prezantueses, Marianne Ponsford, i vajti mendja të pyeste se pse na interesonte aq shumë një femër delikate dhe sipërfaqësore si Emma Bovary. Vargas Llosa e ndërpreu prezantuesen dhe e kundërshtoi duke i thënë se Emma nuk ishte aspak delikate apo sipërfaqësore, ajo ishte një grua e guximshme që luftoi deri në fund për t’i bërë realitet ëndrrat e saj; ndërkohë që romancieri ashpërsohej dhe e mbronte me ngulm heroinën e tij, ne spektatorët pamë sesi dikush që shkruan romanet e Vargo Llosës shëndrrohej në peruan të padisiplinuar e të furishëm, që fshihet pas një zotërie me sjellje shembullore e që flet në emrin e tij.

Kur shkrimtari përfundoi fjalimin e tij, pothuajse duke gulçuar, heshtja mbizotëronte në gjithë teatrin, sikur të gjithë po prisnim që nga momenti në moment ti çirrej sërish prezantueses, të cilën e shpëtoi nuanca britanike e Barnes, që kërkoi ndjesë dhe me këto fjalë e uli tensionin e krijuar: ¨Të gjithë jemi në dijeni që Mario është i dashuruar me Emma Bovary¨.

Ishte krejtësisht e qartë që Barnes kishte të drejtë; po unë që, si shumë shkrimtarë të tjerë të brezit tim, e kam kaluar jetën duke lexuar Vargas Llosan, asnjëherë nuk kisha patur një ide aq të qartë si në atë moment. Sepse është e vërtetë: shkrimtarët që duam nuk mund të na japin asnjëherë kur flasin aq sa na japin kur shkruajnë; nga ana tjetër mund të na japin ato që nuk na i japin dot kur shkruajnë, por vetëm kur flasin. Pikërisht kjo mund të jetë mishërimi i papërsëritshëm i një mrekullie.

Javier Cercas është romancier Spanjoll. Ai jep Letërsi Spanjolle në universitetin e Gironës. Ka fituar këto çmime: Independent Foreign Fiction Prize në 2004, International Dublin Literary Award in 2008, European Book Prize në 2016.

*Ky artikull u përkthye në Shqip për Tiranapost.al nga Albana Murra