Lajme nga Bota

Java e tretë e luftës ruse në Ukrainë. Ç`duhet të dini

Java e tretë e luftës ruse në Ukrainë. Ç`duhet

Është ora 9 e mëngjesit në Kiev. Ndërsa pushtimi rus i Ukrainës hyn në javën e tretë sot, ja çfarë duhet të dini:

Rusia ka përshkallëzuar sulmet e saj ndaj civilëve ndërsa ukrainasit nxitojnë të arratisen përmes korridoreve të evakuimit. Të mërkurën e djeshme forcat ruse bombarduan një maternitet në Mariupol, ku humbën jetën disa nëna të reja dhe fëmijë të sapolindur.

Këtu janë zhvillimet më të fundit:

Mizoria e bombardimeve: Forcat ruse bombarduan një maternitet dhe një spital për fëmijë në Mariupol. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se bombardimi është 'provë e një gjenocidi' dhe përsëriti thirrjet për një zonë të ndaluar fluturimi mbi vend.

Korridoret e evakuimit: Zelensky tha se gati 35,000 njerëz u shpëtuan përmes korridoreve humanitare të mërkurën, nga Kievi, Sumy dhe Enerhodar. Ai tha se përpjekjet do të vazhdojnë edhe të enjten dhe shpreson të evakuojë njerëzit nga Mariupol, Izium dhe Volnovakha. Autoritetet ukrainase thane gjithashtu se përpjekjet për evakuim dështuan në disa nga periferitë e Kievit nga sulmet me armë.

Paralajmërim për armët kimike: Shtëpia e Bardhë paralajmëroi se Rusia mund të përdorë armë kimike në Ukrainë. Kjo vjen pasi Rusia akuzoi SHBA-në për zhvillimin e armëve kimike në Ukrainë, të cilën SHBA e mohoi menjëherë. Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se 'ne të gjithë duhet të jemi vigjilentë se Rusia mund të përdorë armë kimike ose biologjike në Ukrainë', duke vënë në dukje 'rekordin e gjatë dhe të mirë-dokumentuar të Rusisë për përdorimin e armëve kimike'.

Kamala Harris në Poloni: Zëvendëspresidentja e SHBA mbërriti në Poloni. Çështja mbi avionët ushtarakë për Ukrainën pritet të diskutohet kur Harris të fillojë takimet me udhëheqësit polakë mëngjesin e sotëm.

Mbretëria e Bashkuar do të furnizojë Ukrainën me raketa kundërajrore: Britania po planifikon të dërgojë raketa kundërajrore në Ukrainë për të ndihmuar Kievin të luftojë sulmet ajrore. Më vete, në një telefonatë me Zelensky-n, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson u zotua të forcojë sanksionet dhe 'të vendosë koston maksimale ekonomike ndaj Rusisë'.

Rekrutët rusë: Ministria e Mbrojtjes e Rusisë konfirmoi se rekrutët ushtarakë janë përfshirë në pushtim dhe disa janë zënë rob nga forcat ukrainase. Kjo vjen një ditë pasi presidenti Vladimir Putin këmbënguli se rekrutët nuk ishin pjesë e sulmit.

Ministrat e jashtëm, ai i Rusisë dhe ai i Ukrainës, do të takohen sot në raundin e tretë të bisedimeve, në Antalia të Turqisë.