Librat e Arlindës

Gjuha e fshehtë e luleve

Gjuha e fshehtë e luleve

Arlinda Dudaj/ A i duhet besuar në çdo rast thënies se fëmijët e braktisurit janë pa fat apo se nuk arrijnë dot ta gjejnë ndonjëherë rrugën e duhur në jetë? Po çfarë na rrëfen rasti i Viktorias, të cilën shkrimtarja Vanessa Diffenbaugh duket sikur e përkëdhel me dashuri gjatë gjithë kohës që zhvillohen ngjarjet e romanit?

E braktisur që në djep, Viktoria e ka kaluar fëmijërinë duke u hedhur sa te njëra familje birësuese te një tjetër. Ajo ka frikë madje nga kontakti fizik me të tjerët. Ka frikë edhe nga fjalët. Nga fjalët e saj dhe ato të të tjerëve. Por sidomos ka frikë të dashurojë dhe të lejojë ta dashurojnë. Sepse Viktoria nuk ka pasur një jetë të lehtë (deri në takimin dramatik dhe tronditës me Elizabetën, e vetmja nënë e vërtetë që ka pasur ndonjëherë, gruaja që ia mësoi gjuhën e fshehtë të luleve).

Është vetëm një vend ku frika e saj tretet në heshtje dhe në paqe: ai është kopshti i saj i fshehtë në lulishten publike të Portero Hill-it në San Francisko.

Lulet që ka mbjellë me duart e veta në këtë cep të panjohur të qytetit janë shtëpia e saj. Streha e saj. Zëri i saj. Pikërisht nëpërmjet gjuhës së luleve, Viktoria shpreh emocionet e saj më të thella: livanda për mosbesimin; carangthi për mizantropinë; trëndafili i bardhë për vetminë. Edhe ajo vetë është e vetmuar si trëndafili i bardhë dhe ka frikë.

E ndërkaq, pikërisht falë kësaj dhuntie magjike, ka marrë në dorë jetën e saj: tashmë është tetëmbëdhjetë vjeçe dhe punon si luleshitëse. Lulet e saj janë ndër më të kërkuarat në qytet, dhurojnë lumturi dhe shërojnë shpirtin. Por Viktoria nuk e ka gjetur ende lulen që është në gjendje ta përthajë plagën e saj. Sepse zemra e saj mban brenda një faj të fshehtë. I vetmi që arrin t’ia shkulë brengën me rrënjë është një djalë, i cili duket se di gjithçka për të. Vetëm ai mund ta heqë atë barrë nga zemra e Viktorias, si gjembat që i hiqen një kërcelli. Vetëm ai mund të kujdeset për rrënjët e saj të padukshme. Dhe vetëm kështu zemra më e ashpër e trëndafilit të bardhë mund të bëhet e kuqe nga pasioni.

“Gjuha e fshehtë e luleve” është vlerësuar si një fenomen editorial i pashoq. Mjafton të kujtojmë se është nga të paktët libra nga më të kërkuar nga të gjithë botuesit dhe është shitur në 27 vende me ankande luftarake dhe shifra rekord. Po ashtu, ka dalë njëkohësisht në të gjithë globin. Dhe jo rastësisht, sepse nëpërmjet njërit prej personazheve më të jashtëzakonshëm të krijuar ndonjëherë, rrëfen një histori kuraje dhe shprese, braktisjeje dhe etjeje të pabesueshme për jetë, duke na treguar forcën e pafundme të dashurisë më të vërtetë, asaj të papërkryerës dhe pa rrënjë, por që jep pa mëtuar asgjë në këmbim./Copyright TiranaPost.al

IMG_4612