Librat e Arlindës

Duhet të jesh lexues shumë i mirë për këtë libër, nëse je blije por fillimisht lexo çfarë thotë Arlinda

Duhet të jesh lexues shumë i mirë për këtë

Arlinda Dudaj/

Alessandro Baricco, magjia e historive dhe stilit te tij te papërsëritshëm

Nusja e re

Në një vend të largët dhe në një epokë historike me gjasë në kapërcyell të fundshekullit XIX dhe fillimshekullit të XX, jeton një Familje e veçantë ku emrat e pjesëtarëve nuk bëhen me dije: dimë vetëm që bëhet fjalë për Atin, Nënën, Birin, Bijën dhe Ungjin. Shumë shpejt pjesë e Familjes bëhet Nusja e re, një tetëmbëdhjetëvjeçare që, prej tre vjetësh, pret martesën me Birin që duhet të kthehet nga udhëtimi në Angli ku po ndjek disa biznese të familjes.

Dhe nis kësisoj një moment pritjeje me një kohëzgjatje të pallogaritshme që priret drejt pafundësisë ku personazhet e ndryshme luftojnë me mish e me shpirt kundër të pashmangshmes, rrjedhjes së kohës, dhe kundër vdekjes, që mund të përvidhet tinëz pa kurrfarë paralajmërimi. Dhe s’është aspak e thënë që të gjithë arrijnë të shpëtojnë.

Fantastik ndryshimi që Nusja do të pësojë a më shumë do të fillojë t’i qaset dhe t’i njohë personazhet e ndryshëm, të gjithë unikë dhe të veçantë: Mazhordomi “i saktë”dhe gjithnjë në vendin e duhur, Ungji gjithnjë i përhumbur por ndër protagonistët kryesorë, Nëna që i mëson nuses së re të eksplorojë trupin e vet, seksualitetin e vet dhe mjetet për ta shprehur atë.

Nusja e re është thjesht e bukur... sepse shpirti i saj, që rritet dhe tjetërsohet pas abuzimeve dhe dhembjes, di të rrijë në pritje, i pacenuar.

Ky është një libër absolutisht origjinal,me njëstil të shkruari që autori është i aftë ta ndryshojë pareshtur, në varësi rrethanave dhe ndjenjave, si dhe në varësi zërit që rrëfen... fillimisht nusja, pastaj personazhet e tjerë, madje edhe vetë shkrimtari shndërrohet nënjë zë rrëfyes. Dhe atëherë katapultohesh në një vorbull ngjarjesh, ndjesish, ëndrrash, aspiratash gëzimesh e dhembjesh... mitesh të thyera dhe dëshirë për bukuri, tamam si ajo e Dostojevskit, ajo që do të shpëtojë botën.

Një stil gjithnjë i lakuar dhe elegant, tejet origjinal , thelbi i vetë tregimit, mënyra e vetme për t’i dhënë jetë narracionit që rrjedh si në vaj, duke e përkundur lexuesin, duke e kredhur lehtë në jetët e personazheve, të cilët vijnë të ndërtuar në mënyrë “impresioniste”me tipare të qenësishme, por karakterizues në thelb, duke e shtyrë lexuesin o t’i dojë o t’i urrejë që në faqet e para.

Tipari më i veçantë i këtij romani ka të bëjë me zërin rrëfyes që i lë hapësirë, pa shkëputje të dukshme, zërit të personazheve (duke kaluar nga veta e tretë në të parën) në një proces njëjtësimi dhe njëherësh shkëputjeje psikike. Mund tëthuhet me plotgojë se në këtë libër gjen mishërim thënia se gjuha dhe stili janë pjesë vendimtare e një historie, ku spikat qartë se si personazhet, e dalë duarsh, ndiejnë nevojën e ngutshme të tregojnë për vetveten dhe tërthorazi të tregojnë pulsionet e parrëfyera të autorit të tyre.

Baricco hyn dhe del nga libri, jo si një shkrimtar por si një protagonist, jeton me librin, merr frymë në roman por pa u bërë pjesë e tij. Rezultati është një histori e re, sugjestive, reale.

Dy fjalë dhe për përkthimin e mrekullueshëm të Agim Doksanit.

Duke qenë mirëfilli një vepër e bazuar në stilin e stërhollë dhe formalizmin, ku subjekti narrativ del në plan të dytë dhe shpesh vihet në funksion të formës, përkthimi i këtij teksti mbetet një sfidë e vërtetë, në ndërtimin e strukturës së fjalisë, duke i qëndruar sa më pranë origjinalit dhe njëherësh duke e bërë të tingëllojë shqip, pa prishur strukturën origjinale të fjalisë, që në fakt është strukturë të menduari e stisur enkas nga autori. Larmia dhe pasuria e fjalorit ishte një tjetër detyrë që përkthyesi duhet ta zgjidhte me sukses, pasi stili i shkrimtarit, herë-herë barok, i karakterizuar shpesh herë nga metafora të pagjasa kërkonte gjetjen e fjalëve dhe metaforave më të goditura edhe në shqip.

Gjithaq i vështirë mbetet për përkthyesin edhe kalimi i zhdërvjellët dhe i qëllimtë i shkrimtarit nga rrëfimi në vetë të tretë në një rrëfim në vetë të parë, kalim që herë-herë përngjan si pindarik dhe përkthyesi duhet ta administrojë me shumë kujdes, për të mos humbur koherencën e tekstit. Tiranapost.al.