Celibashi paralajmëron që zgjedhjet në Shkodër ka gjasa të shpallen të pavlefshme. Ja pse

Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi, në një konferencë për gazetarët konfirmoi që në 2 njësi në zonën e Dukagjinit në Shkodër, procesi i votimit për kryetar bashkie nuk ka nisur pasi komisionerët e kanë të pamundur për shkak të reshjeve të dëborës dhe motit të keq të shkojnë në qendrat e votimit.
Celibashi shpjegoi se çfarë ndodh nëse procesi nuk nis brenda 5 orësh.
“Nëse procesi i votimit nuk do të zhvillohet për një periudhë kohore prej 5 orës zgjedhjet atje janë të pavlefshme. Ligji ka dhënë një periudhë tolerance prej 5 orësh. Nëse nuk fillon për 5 orë, zgjedhjet anulohen. Është për t’u vlerësuar gjesti i tyre për të shkuar në vendin e punës dhe pse kushtet e motit janë të pafavorshme”, tha Celibashi.
Celibashi foli edhe për një incident të ndodhur në dy qendra votimi në Dibër e në Durrës
“Kemi të raportuar për një incident në Dibër e Durrës në dy QV, lidhen me mënyrën si anëtarët e komisioneve të QV e administrojnë procesin atje por duhet të them që janë pa ndikim në procesin e votimit të paktën deri tani.
Në vlerësimin tonë problematika më shumë lidhet me disa QV në Shkodër e Dibër për shkak të situatës atmosferike.
Duhet ta them e t’i falenderoj komisionerët e këtyre QV që në kushte shumë ektreme të kohës një pjesë e madhe e tyre janë paraqitur në detyrë, shpresojmë brenda afatit 5 orësh që Kodi Zgjedhor lejon ta nisim votimin dhe në ato qendra ku nuk ka nisur akoma në Shosh e Pult dhe në ato që është ndërprerë për arsye teknike.”