Video/ Tensione në protestë: Demonstruesit përplasen me policinë pasi tentojnë të hyjnë në Ministri

Protestuesit tentojnë të hapin derën e Ministrisë së Brendshme, kjo ka bërë që situata të tensionohet. Efektivët, të cilët ishin pa kaska dhe mburojë, duke u përballur me protestuesit vetëm me duar, duke i ndaluar që të hyjnë në institucion.
Gjatë tensionimit të situatës raportohet se janë lënduar një polic , një gazetar dhe këngëtari Stresi. Lëndimi i tyre ka ndodhur në momentin kur protestuesit kanë tentuar të hyjnë në Ministri, kjo ka çuar në ndërhyrjen e policisë, të cilët ishin pa mburojë dhe pa armë. Në këto momente protestuesit kanë hedhur objekte të ndryshme, si çadra, apo fruta.
Protesta ka nisur rreth orës 16:00 para Ministrisë së Brendshme, për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv i Shqiponjave, pasi nuk iu bind urdhrit për të ndaluar, pasi kishte shkelur orën policore.

Në protestë janë mbledhur qindra qytetarë, të cilët kërkojnë dorëheqjen e ministrit Lleshaj, jo vetëm për rastin në fjalë, por edhe për ngjarje të tjera të ndodhura nga policia, për të cilat bëjnë fajtor atë.

Rasha u vra mesnatën e së martës pranë shtëpisë së tij. Sipas efektivit të policisë, që e qëlloi për vdekje, ai kishte menduar se i riu kishte një armë, gjë të cilën nuk e kishte kuptuar qartë pasi sipas tij nuk kishte dritë të mjaftueshme. Klodian Rasha nuk u gjet me armë në dorë kur mbeti i vrarë.
