‘Lleshaj jep dorëheqjen’! Nis protesta për vrasjen e 25-vjeçarit nga policia

“Duam drejtësi”, “Unë jam Klodiani”, “Poshtë diktatura”, "Hiqni kapelet" dhe “LLeshaj jep dorëheqjen”.

Këto janë disa nga thirrjet e protestuesve para Ministrisë së Brendshme, ku ka nisur protesta për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv i Shqiponjave, pasi nuk iu bind urdhrit për të ndaluar, pasi kishte shkelur orën policore.

Në protestë janë mbledhur qindra qytetarë, të cilët kërkojnë dorëheqjen e ministrit Lleshaj, jo vetëm për rastin në fjalë, por edhe për ngjarje të tjera të ndodhura nga policia, për të cilat bëjnë fajtor atë.

Rasha u vra mesnatën e së martës pranë shtëpisë së tij. Sipas efektivit të policisë, që e qëlloi për vdekje, ai kishte menduar se i riu kishte një armë, gjë të cilën nuk e kishte kuptuar qartë pasi sipas tij nuk kishte dritë të mjaftueshme. Klodian Rasha nuk u gjet me armë në dorë kur mbeti i vrarë.