Babai i 25 vjeçarit: Prisja ta martoja. Të më vritet djali nga polici në derën e shtëpisë, jashtë çdo norme!

Vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv i policisë ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik. Sot në ceremoninë mortore, babai i Klodianit me lot në sy tregon se një natë me parë ai po merrej me punë shtëpie, duke suvatuar disa pjesë të mureve. Ndërsa natën kur u qëllua për vdekje, Klodiani, sipas babait të tij kishte dalë për të blerë një paketë cigare. Ai kërkon drejtësi për vrasjen e djalit dhe e quan jashtë çdo norme vrasjen në derë të shtëpisë: Ai nuk kishte maskë me vete dhe u largua me vrap.

Qazim Rasha:
'Dhimbja ime është edhe e juaja. Dhimbja ime është e të gjithëve, e çdo race, e çdo babe, e çdo nëne. Djali ishte ditën që po punonte te shtëpia, doli për të blerë një paketë. Ai ishte fëmijë 25 vjeç, çfarë të them më tepër.
Fëmijen e lind, rritet dhe të jep e ta mëerr Zoti. Dhimbja ime është për të gjithë. Ky apel është që drejtësia të bëjë drejtësi, mos të në vrasi përditë, jemi ata që i shërbejmë shtetit. Ne kërkojmë ndihmë dhe mbrojtje nga shteti, jo të më vijë dhe të më vritet djali tek dera e shtëpisë, kjo shtë jashtë çdolloj norme, çfarë polici mund të jetë ai.
S’jam marrë me komunikime. Është gjendje që nuk mund të shprehem, fatkeqësia ime mos i ardhtë askujt, mos e provoftë askush. Polici është për të na mbrojtur. Djali për maskën u vra se nuk e kishte vënë iku me vrap. Prisja ta martoja djalin jo ta çoja me arkëmort'.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 01:45 minuta pas mesnatës së 8 dhjetorit në zonën e Laprakës, në rrugën Dritan Hoxha. Sipas policit që ka qëlluar, Klodiani kishte bërë lëvizje të dyshimta dhe i ka kërkuar të ndalonte. I riu i është kundërpërgjigjur me sende të forta dhe më pas polici e ka qëlluar.