Shpallja Non Grata bëhet mbi fakte, nuk besoj se shqiptarët s'janë në dijeni për aferat korruptive
Ish-zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Thomas Countryman, thotë se nuk është i befasuar nga vendimi për ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të zotit Berisha dhe familjes së tij.
“Nuk mendoj se audienca në Shqipëri nuk është në dijeni të shkallës së korrupsionit publik që ka prekur politikanë nga parti të shumta, kështu që ekziston një bazë faktike për përcaktimin”, tha ai për Zërin e Amerikës.
Zoti Countryman, i cili si zevendës ndihmës sekretar për Evropën, mbulonte Ballkanin, thotë se megjithëse nuk i di argumentat që përbëjnë bazën për këtë vendim specifik, autoriteti që Kongresi i ka dhënë Departamentit të Shtetit ushtrohet me kujdes.
“Ai ushtrohet vetëm nëse ekziston një bazë e fortë faktike për identifikim korrupsioni të konsiderueshëm. Vihet në përdorim vetëm nëse korrupsioni është i rëndësishëm dhe veçanërisht në ato vende ku korrupsioni është një problem serioz dhe i përhapur. Për fat të keq Shqipëria është në atë kategori”, tha zoti Countryman.
Ai shton se shpreson që ky përcaktim të nxisë Shqipërinë dhe vendet e rajonit të luftojmë me forcë korrupsionin.
Ish-zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, thotë se nuk ka ndonjë arsye të fshehtë që njoftimi u bë në këtë moment dhe se burokracia në Shtetet e Bashkuara lëviz me ritmin e vet.
“Nuk besoj se SHBA kanë marrë ndonjëherë anë në Shqipëri në luftën shumë të hidhur politike mes partive kryesore. Por sigurisht kur isha unë në qeveri dhe besoj edhe më pas, SHBA janë shqetësuar gjithmonë për faktin se ka akuza të besueshme për korrupsion në lidhje me disa parti të ndryshme në Shqipëri. Shpresoj që ky veprim nga Shtetet e Bashkuara, i cili jam i sigurt se do të shihet si dramatik në Shqipëri, të sjellë si rezultat ripërtëritje të përpjekjeve për të ndërmarrë veprime kundër politikanëve të korruptuar nga çdo parti”, i tha ai Zërit të Amerikës.
*Tiranapost.al.