Rikthehen 30 mjekët e infermierët pas misionit 1-mujor në Itali, pamje nga Rinasi

Kanë mbërritur në aeroportin e Rinasit 30 mjekët dhe infermierët e parë shqiptarë që për një muaj shkuan në spitalin e Brescia-s për të ndihmuar kolegët e tyre në Itali, mes goditjes së madhe që morën nga pandemia e koroanvirusit.

Ishte ministrja Manastirliu e cila i priti dhe tha se ndihej krenare për misionin e tyre, dhe se tashmë ka nevojë për ta këtu.

Megjithatë në disa nga mediat italiane sot u publikua një artikull ku thuhej se 10 prej tyre janë gjobitur deri në 500 euro pasi thuhej se ishin mbledhur në një nga dhomat e hotelit, për të festuar fundin e misionit dhe rikthimin në atdhe, duke shkelur rregullat.
Një festë për përfundimin e misionit italian, duke pirë birrë dhe duke dëgjuar muzikë në dhomën e tyre të hotelit. Kjo ishte e mjaftueshme për të shtyrë pronarin e hotelit në Brescia, ku ishte vendosur kontigjenti i mjekëve dhe infermierëve shqiptarë, për të thirrur policinë. Kështu që grupi i specialistëve shqiptarë, të cilët duhet të kthehen sot në Tiranë pas një muaji të kaluar krye të detyrës, u gjobit nga policia deri në 500 euro. Po, sepse në kohën e koronavirusit, një festë e këtij lloji nuk duhet të organizohet, madje as midis mjekëve dhe infermierëve që erdhën në Itali për të na ndihmuar, shkruante media italiane “Il Giorno”.
Dikush prej mjekëve reagoi keq, duke shprehur habi për atë që po ndodhte. Policia po e heton këtë fakt.
"Ne duhet të sqarojmë se çfarë ndodhi mbrëmë dhe kushdo që ka përgjegjësi do të duhet të përgjigjet për të," ka thënë Gianpaolo Natali, këshilltar i Fratelli d'Italia në komunën e Brescia, i cili këtë mëngjes u mor me raportin e 10 personave nga ekipi shëndetësor shqiptar.
Nëse do të jetë e vërtetë sigurisht që kjo e plagos gjithë aksionin dhe imazhin e grupin të mjekëve që shkoi me aq shumë bujë e bëri për vete Italinë.