Merrni çfarë mase të doni, kam vrarë një njeri! Efektivi që qëlloi Klodian Rashën del në gjyq
Efektivi Nevaldo Hajdaraj, 25 vjeç, që qëlloi për vdekje të riun Klodian Rasha doli sot para trupit gjykues, për të cilin Gjykata ka dhënë masën e arrestit me burg.
Ai është shfaqur i penduar para togave të zeza dhe me kokën ulur, ndërsa ka kërkuar falje publike për aktin që ka kryer, që i mori jetën 25-vjeçarit. Gjithashtu ai ka thënë në sallën e gjyqit se donte që familjarët e Klodianit të ishin prezent që t’i kërkonte falje.

“Kjo që më ka ndodhur mua mos i ndodhtë askujt. Merrni çfarë mase të doni, kam vrarë një njeri. Njoftova sallën, kërkova përforcime. Gjithçka ndodhi për 4-5 minuta”, mësohet të ketë thënë efektivi Nevaldo Hajdaraj në sallën e gjyqit.
Rasha është qëlluar me dy plumba, ku një prej tyre i ka prekur zemrën duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Plumbi i parë e ka kapur të riun në shpatull, në anën e djathtë, dhe i ka dalë në pjesën e zemrës. Për shkak se predha e plumbit ka prekur një prej arterieve kryesore, 25-vjeçari ka ndërruar jetë në vend.
Nga arma e efektivit është qitur dhe një plumb tjetër, i cili nuk ka goditur drejtpërdrejt Klodian Rashën, por ka bërë rikoshet në mur dhe më pas e ka kapur në pjesën anësore të kokës.
“Ndodheshin në rrugën ‘Dritan Hoxha’ dhe ndaluan për verifikim një automjet që vinte për në drejtim të Zogut të Zi. Në këtë moment kanë konstatuar një djalë të ri që qëndronte i mbështetur pas një muri. Polici i cili shoqëronte kolegun që tani ndodhet i arrestuar për ngjarjen i është drejtuar viktimës duke i thënë: ‘O djali ndalo pak’. Në këtë moment, është raportuar në Sallën Operative se po ndiqet një person, i cili nuk i është bindur urdhrit të policisë. Tre minuta më vonë, në orën 1:12, ëhstë kërkuar ambulanca, thuhet në Sallën Operative, po nuk janë dhënë sqarime përse është kërkuar. Dy minuta më vonë, 1:14, është informuar se është përdorur arma e zjarrit në drejtim të personit që nuk po i bindej urdhrave të policisë”, thuhet në dosjen hetimore.