Dosja hetimore e vrasjes së Klodian Rashës: Plumbi i preku zemrën, dinamika e ngjarjes se çfarë ndodhi brenda 5 minutave

Detaje të reja janë mësuar nga ngjarja me zbardhjen e dosjes hetimore të vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi Nevaldo Hajdaraj, 25 vjeç. Sipas dosjes, Rasha është qëlluar me dy plumba, ku një prej tyre i ka prekur zemrën duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Plumbi i parë e ka kapur të riun në shpatull, në anën e djathtë, dhe i ka dalë në pjesën e zemrës. Për shkak se predha e plumbit ka prekur një prej arterieve kryesore, 25-vjeçari ka ndërruar jetë në vend.
Nga arma e efektivit është qitur dhe një plumb tjetër, i cili nuk ka goditur drejtpërdrejt Klodian Rashën, por ka bërë rikoshet në mur dhe më pas e ka kapur në pjesën anësore të kokës. Vdekjen në vendngjarje të të riut e kanë konfirmuar dhe regjistrat e Spitalit të Traumës, ku 25-vjeçari u dërgua me ambulancë nga dy efektivët që e ndoqën. Gjithashtu viktima rezulton se ka dërmishtje në anën e djathtë të ballit dhe në pjesën e hundës.
Mjekët e këtij spitali kanë regjistruar aktin e vdekjes së të riut në orën 01.23 të datës 8 dhjetor. Sipas tyre, Klodian Rasha ka mbërritur i vdekur dhe ata nuk kanë pasur asnjë mundësi për të dhënë ndihmën e parë.
“Ndodheshin në rrugën ‘Dritan Hoxha’ dhe ndaluan për verifikim një automjet që vinte për në drejtim të Zogut të Zi. Në këtë moment kanë konstatuar një djalë të ri që qëndronte i mbështetur pas një muri. Polici i cili shoqëronte kolegun që tani ndodhet i arrestuar për ngjarjen i është drejtuar viktimës duke i thënë: ‘O djali ndalo pak’. Në këtë moment, është raportuar në Sallën Operative se po ndiqet një person, i cili nuk i është bindur urdhrit të policisë. Tre minuta më vonë, në orën 1:12, ëhstë kërkuar ambulanca, thuhet në Sallën Operative, po nuk janë dhënë sqarime përse është kërkuar. Dy minuta më vonë, 1:14, është informuar se është përdorur arma e zjarrit në drejtim të personit që nuk po i bindej urdhrave të policisë”, tha gazetarja Klodiana Lala për “Neës 24”.
Referuar dosjes hetimore, efektivi thotë se në një moment vuri re se 25-vjecari po bënte lëvizje të dyshimta duke menduar se mbante armë me vete.
“Kur doli te rrugica isha mbështetur te muri i servisit dhe kisha fushë pamje të kufizuar dhe i kam qëlluar poshtë nga këmbët” – është shprehur efektivi i policisë. Por kjo alibi e tij sipas organit të akuzës nuk qëndron pasi plumbi e ka kapur në shpinë lart në anën e djathtë dhe diagonal i ka prekur zemrën, plumbi tjetër i ka bërë rrikoshet.
Megjithatë akt-ekspertimi balistik i armës së tij dhe të Klodian Rashës nuk ka përfunduar ende. Prokurori Ardian Braho që ka drejtuar hetimet për ngjarjen, ka në dorë dhe pamjet e kamerave të 5 bizneseve të cilat tregojnë gjithë rrugën që ka bërë 25 vjeçari derisa humbi jetën.