Aktualitet

Bashkia e Korçës për Bregoviç: Festa i këndon paqes dhe harmonisë mes popujve të Ballkanit

Bashkia e Korçës për Bregoviç: Festa i këndon paqes

Nënkryetarja e Bashkisë së Korçës,Benila Tërova ka komentuar organizimin e Festës së Birrës, një event i përvitshëm në qytetin juglindor që sivjet ka ndezur debate të shumta pas lajmit se në event do të jetë i ftuar këngëtari serb Goran Bregoviç.

Në një intervistë për “News24”, Terova ka njoftuar se eventi do të zhvillohet përgjatë pesë netëve të gushtit prej datës 18 deri ne 22 dhe në dy lokacione të ndryshme në Korçë, tek terminali i ri i autobusave dhe tek Pazari, kështu që qytetarët do të mund të zgjedhin mes artistëve nga vende të ndryshme dhe rrymave muzikore.

Në lidhje me debatin për Bregoviç, Terova shprehet se Festa e Birrës synon respektimin dhe promovimin e diversitetit kulturor dhe etnik të popujve të Ballkanit dhe se vlerësimi për vetë këngëtarin profesionalisht është i mirënjohur.

“Festa e Birrës do të jetë në dy pole. Festa do të bëhet në terminalin e autobusëve dhe sheshin e pazarit të Korçës, me diversitet të llojit të muzikës, këngëtarë dhe llojit të birrës që marrin pjesë. Janë mbi 10 lloje birrash që marrin pjesë në këtë festë.

Në 5 net, nga 18 deri në 22 do organizohen 10 koncerte, 2 koncerte në ditë. Do kemi emrat më të njohur muzikës shqiptare dhe Kosovës dhe Maqedonisë. Do kemi një bandë muzikantësh nga Greqia, Brazili. Gjeografinë e këngëtarëve e kemi pasur shumë të gjerë në të gjitha festat e birrës. Festa e birrës nga një festë lokale është kthyer në një festë e të gjithë shqiptarëve në një festë e të gjithë hapësirës mbarëshqiptare, festë ballkanike. Synimi është që të kthejmë festën e birrës në një festë ndërkombëtare.

Për sa i takon debatit, bashkia e Korçës refuzon të përfshihet në një debat që tenton të politizojë festën e birrës. Festa e birrës është një festë masive e të gjithë shqiptarëve e cila synon respektimin e promovimin e diverstitetit kulturor etnik të popujve të Ballkanit. Festa i këndon paqes harmonisë që lidhin dhe jo ndajnë popujt. Vlerësimin për këngëtarin nuk mund ta bëjmë ne. Se kush është Bregoviç, mjafton të klikosh, vlerësimi profesional nuk i takon bashkisë Korçë”- ka thënë Terova.

Tiranapost.al