25 Rreshtat e Mirës

25 rreshta me një fjalë kryesore për luftën për FSHF

25 rreshta me një fjalë kryesore për luftën për FSHF

Nga Mira Kazhani/ Ditët e fundit dhe dje përplasjet mes palëve kanë arritur kulmin. Pas votimit të kreut të shoqatës ku fitoi Krenar Alimehmeti, kandidat i Armand Dukës, lufta u mavijos edhe më shumë. Sa për fitoren, asnjë befasi.

Federata akuzon se ajo ( lufta) është bërë politike, ndërsa në vite shumë politikanë janë parë krah kreut të Federatës në ndeshje brenda dhe jashtë vendit, dhe takime kortezie

Një e re është përfshirja e Kryebashkiakut Veliaj në një fushatë për të hapur rrugën për një figurë të re në krye të Federatës së Futbollit.

Një takim i së dielës dhe një bisedë private mes çunash e shfaqi këtë të fundit edhe me një fjalor dhomash zhveshjeje para ndeshjesh. I papërshtatshëm!

Mediat, (përfshi dhe Tiranapost) janë përfshirë në dëngun e lajmeve që prodhojnë replikat, aktet, deri edhe tritolët e mistershëm që vetëm palës kundërshtare i bëjnë dëm, dhe sot veç një kundërshtar s`e bën atë hap. Duket një akt që kërkon vetëm të thellojë luftën e ta çojë në ekstrem.

Prokuroria duhet të hetojë, sepse tritoli tek dera e shtëpisë është i rëndë, edhe pse FSHF sot u gdhi e shqetësuar për ‘hackerin’ dhe jo tritolin.

‘Hacker’-at janë futur gjithashtu në lojën e zgjedhjeve të kreut të Federatës. Sot në mëngjes FSHF njofton se faqja është ‘hack’-uar dhe akuzoi politikën: Akt i turpshëm me prapavijë politike!

Deri më tani në mënyra të ndryshme politika është futur në debat dhe në fushatë. Presidenti ka reaguar, Berisha ka reaguar, zyra e Bashës ka reaguar. Edi Rama nuk ka folur, të paktën jo ai vetë.

Në fakt, t’i thuash sot Armand Dukës ik, është njëjtë si me ata që i kërkonin Edi Ramës mos të kërkojë një mandat të tretë, apo të katërt, që do e kërkojë.

Nuk jam njeri sporti dhe as gazetare sportive rrjedhimisht. Nuk kam ekspertizën e duhur për të folur me fakte pse duhet të largohet një drejtues 20-vjeçar dhe pse duhet të vijë dikush tjetër. Mendimi klishè është që uji duhet ndërruar. Pa u futur në mijëra akuzat, titujt, që e kanë vizatuar kreun aktual, Armand Duka, një biznesmen i hershëm që ka kënaqur majtas e djathas me favore kë ka mundur. Po kaq edhe njerëzit e sportit që sot mund të jenë në pozitën e borxhit ndaj shpërblyesit të së shkuarës. Për këtë logjikë besoj që zgjidhja është tek letrat dhe jo tek fjalët. Si?!

Si gazetare 20 vite ( ironikisht sa Armando Duka në drejtim) kuptoj se edhe një herë që ne jemi shoqëri që duam t’i zgjidhim punët me fushata, helm, tritol, personalizim, polarizim, urrejtje.

Zgjidhja për të larguar një drejtues të lashtë, të keq, të paaftë, të korruptuar apo edhe të ndershëm, por që nuk duhet më, duhet të jetë tek letrat.

Sot, në mëngjes telefonova një sportiste të vjetër, larg emocioneve. E pyeta për statutin për t`u siguruar. Është i pakufizuar. Ndaj ndryshimet duhet të nisin tek statuti, i cili sot do kishte shmangur luftës e radhës. E fundit ishte ajo me të ndjerin Bashkim Fino, një leksion që politika sado të ndërhyjë nuk e çan dot portën e favoreve.

*Ndalohet ribotimi i Rubrikës “25 rreshtat e Mirës” pa lejen e editorit. Na kontaktoni [email protected]